27 shkurt 2009

“S’mund të largohem nga ky Liverpul”

Trajneri spanjoll, Rafa Benitez, festoi mbrëmjen e së mërkurës një tjetër fitore të lavdishme në Ligën e Kampioneve, duke triumfuar 0-1 në “Santiago Bernabeu” përballë Realit të Madridit. Por, gëzimin e mbështetësve të skuadrës së tij, ai nuk e lë me kaq, pasi vetëm disa orë pas përfundimit të ndeshjes dha fjalën se nuk do të largohet nga “Anfield”, pasi me “të kuqtë” shpreson suksese të mëdha në këtë sezon dhe në ata që do të vijnë. “Më besoni! Do të qëndroj. Jam në dijeni të të gjitha lajmeve në Angli, por mund të them se kam vendosur të qëndroj dhe dua të punoj shumë me këtë klub. Është e qartë se mbrëmja e së mërkurës ishte fantastike dhe kjo më bën akoma më të bindur për të qëndruar në një skuadër të tillë. Tani më duhet të vazhdoj të punoj me klubin dhe të tentoj për fitore të tjera edhe më të mëdha. Avokatët e mi janë në bisedime me përfaqësuesit e pronarëve dhe aty do t’u jepet fund spekulimeve. Mund të them se për momentin do të vijoj të festoj këtë rezultat të bukur të marrë në Madrid”, tha Benitez. Kontrata e ofruar aktualisht për Benitezin ka disa detaje, të cilat janë në mospërputhje me kërkesat e tij. Megjithatë, në daljet e kohëve të fundit të pronarëve dhe të vetë teknikut në shtyp, është ndjerë dukshëm një frymë mirëkuptimi mes dy palëve. Triumfi i së mërkurës nga Liverpuli bëhet më i madh për faktin se Fernando Torres u detyrua të largohet nga fusha e lojës në mesin e pjesës së dytë, për shkak dëmtimi, ndërsa kapiteni Stivën Xherrard, u aktivizua gjatë minutave të shtesës. “Torres u dëmtua në minutën e parë dhe nuk luajti në formën e tij të zakonshme, ndërsa Xherrard hyri në fushë vetëm në minutat e shtesës. Por ne i kapërcyem këto pengesa dhe arritëm të merrnim një fitore të rëndësishme. Fillimisht Reali na paralajmëroi se do të hasnim një kundërshtar të fortë, ndërsa në fushë treguam se cilët janë më të mirët. Faktikisht e bëmë detyrën tonë në mënyrë të përsosur”, komentoi Benitez në lidhje me paraqitjen e ekipit....