28 shkurt 2009

Liverpooli gjithnjë më larg ëndrrës

Skuadra e Liverpoolit është mposhtur nga skuadra e parafundit në tabelë, Middlesbrough.
Takimi i zhvilluar të shtunën në Riverside Stadium, ndërmjet Middlesbrough dhe Liverpool, ka përfunduar me rezultat prej 2-0 në favor të skuadrës vendase. Vendasit kaluan në epërsi pas një goditjeje nga këndi, me ç’rast Xabi Alonso shënoi autogol (32’). Middlesbrough dyfishoi epërsinë me anë të Tuncay Sanli (63’), pasi të gjithë punën e kreu Aliadiere, i cili shmangu dy mbrojtës para se të pasonte te bashkëlojtari i tij. Me këtë fitore Middlesbrough largohet paksa nga fundi i tabelës, së paku deri të dielën. kur i zhvillojnë ndeshjet Blackburn dhe Stoke City. Ndërkaq kjo humbje ia minimizon Liverpooolit mundësitë për t’u shpallur kampion, duke ditur se Manchester United është shtatë pikë para, ndërsa të dielën mund të bëhen dhjetë pikë.