26 shkurt 2009

Bufon e Ranieri: Meritonim barazimin

Portieri i skuadrës së Juventusit, Xhanluixhi Bufon, është shumë i zhgënjyer nga përfundimi i takimit të mbrëmjes së djeshme, jo prej lojës së zhvilluar nga skuadra, por vetëm për faktin e rezultatit “gënjeshtar”. “Për 75 minuta me radhë e kemi kontrolluar ne lojën dhe më vjen shumë keq që ishim të pafat në moskonkretizimin e barazimit. Sigurisht, që në bazë të kualiteteve anglezët janë disi më lart se ne, por loja ishte shumë e balancuar dhe ne gabuam vetëm në minutat e para. Didier Drogba? Në momentin e golit ishte më shumë me fat, sesa i zoti. Topi i goditur prej tij fatkeqësisht për ne u përplas në tokë dhe vetëm kështu mundi të më mposhte, pasi besoj se e kisha mbuluar mjaft mirë pasqyrën e portës. Nuk mërzitem aq për golin, sesa për fatin e keq që na shoqëroi në këtë përballje, por mendoj dhe jam i bindur se nëse shfaqim të njëjtën grintë edhe në ndeshjen e kthimit, Çelsi duhet të fillojë të shqetësohet që tani”, ka deklaruar portieri i Juventusit. I të njëjtit mendim me të është edhe Klaudio Ranieri. “Në ndeshjen e kthimit duhet të luajmë një ndeshje perfekte, në qoftë se duam të kalojmë. Pas paraqitjes së sotme (dje), lojtarët janë të bindur mbi kualifikimin, ndaj na mbetet vetëm të presim ndeshjen e Torinos”.