01 shkurt 2009

Rosi: Nuk dua gabime ndaj Milanit

“Pavarësisht dëmtimeve, nuk kemi asnjë alibi. Ndaj Milanit duhet të fitojmë me çdo kusht. Gjatë karrierës sime kam kaluar shumë momente të tilla, e u them të gjithëve se pikërisht në këtë moment si tifozët, lojtarët dhe drejtuesit e klubit duhet të qëndrojnë të bashkuar, e të mos tregohen si të mirë apo të këqij, por t’i qëndrojmë sa më pranë skuadrës”. Kështu është shprehur në prag të takimit Lacio-Milan, trajneri bardhekaltar, Delio Rosi: “Të mos harrojmë që Lacio ka bërë gjëra të bukura gjatë këtij sezoni dhe nuk dua që e gjithë ajo punë e mirë të hidhet poshtë vetëm për ato dy ndeshje që jemi mundur”. Delio Rosi shikon si shkaktarin kryesor të humbjeve të skuadrës bardhekaltër mbrojtjen, e cila gjatë dy javëve të fundit ka pësuar tetë gola: “Gjatë kësaj jave kemi punuar shumë me mbrojtjen dhe shpresoj që kundër Milanit të shikojmë një Lacio më solide në mbrojtje. Kuqezinjtë janë një skuadër, e cila nuk të fal në sulm, por jam i sigurt se me ndihmën e mesfushës, mbrojta jonë do arrijë të thyejë sulmet e skuadrës kuqezi”. Përsa i përket luftës për titullin ndërmjet Interit, Juventusit e Milanit, Delio Rosi shikon si favoritë kryesorë zikaltrit e Mourinjo: “Interi është një hap më lart se të tjerat, besoj se edhe këtë kampionat do ta fitojnë pa shumë vështirësi”.