01 shkurt 2009

Spaleti, drejt Kalabrisë pa Totin e Baptistan

Kapiteni Toti, Simone Perota, Hulio Baptista, Vinçenco Montela, dhe mbrojtësit, Kaseti, Rise dhe Panuçi nuk do të jenë në dispozicion të Luçiano Spaletit për transfertën kundër Rexhinës. Gjithsesi, për teknikun verdhekuq këto mungesa nuk përbëjnë një justifikim që skuadra e tij të niset si jo pretendente për këtë takim. “Më vjen keq që kam kaq shumë lojtarë të dëmtuar. Gjithsesi, këto mungesa të rëndësishme, një skuadër si Roma duhet të dijë t’i përballojë. Sigurisht që kur të mungon në skuadër një futbollist lider si Françesko Toti, atëherë gjithçka bëhet shumë më e vështirë, por jam i sigurt se zëvendësuesit do të arrijnë të luajnë po aq mirë sa lojtarët e dëmtuar”. Përsa i përket transfertës së Rexho Kalabrias, Luçiano Spaleti tregon: “Rexhina është një skuadër e mirë dhe shumë e fortë në fushën e saj. Do ta kemi të vështirë, por megjithatë ne do shkojmë atje për të marrë tri pikët. Dëshirojmë me çdo kusht të arrijmë në vendin e katërt të renditjes dhe pikërisht tani që jemi aq pranë tij, nuk duhet të lëshojmë”. Kujtojmë që ndaj Rexhinës, mbrojtësi Kristian Panuçi nuk është grumbulluar, edhe pse dje mesfushori Pizaro ka deklaruar se shpreson në grumbullimin e këtij të fundit: “Pizaro mua nuk më ka thënë asgjë mbi këtë çështje – ka shpjeguar Spaleti – pastaj kjo çështje nuk mund të zgjidhet në dhomat e zhveshjes, pasi tashmë vetë Panuçi e ka qartësuar saktë atë çka dëshiron të bëjë”, ka përfunduar Luçiano Spaleti.