01 shkurt 2009

Për Frenk Lampard, nuk ka favoritë

Në vigjilje të përball jes së “Anfield”, mesfushori dhe lojtari më në formë i Çelsit, Frenk Lampard, paralajmëroi tifozët dhe shokët e tij të skuadrës se i pret një ndeshje tepër e vështirë me Liverpulin. 31-vjeçari u shpreh se rivaliteti që kanë të dyja skuadrat respektive do ta kthejë sfidën e sotme në një betejë të vërtetë, ku vetëm një gjë është e garantuar: spektakli. “Do jetë ndeshje e fortë. Nuk mund ta mohoj një gjë të tillë. Lojtarët e secilës skuadër e kanë cilësuar si një betejë e vërtetë këtë ballafaqim, edhe pse respekti që këto dy skuadra ndajnë mes tyre është i lartë. Vetë Stivën Xherrard e ka përmendur shpesh sesa të vështirë e kanë të luajnë kundër Çelsit si në “Stemford Brixh”, ashtu edhe në “Anfield”. Të dielën do të kemi një “det të kuq” në fushën e lojës dhe të them të drejtën, kjo do të na vërë nën presion. Është me të vërtetë e frikshme të luash në një stadium si “Anfield”, ku dominon ngjyra e kuqe. Aty kemi luajtur disa herë dhe tensioni që kemi pasur ka qenë i papërshkrueshëm. Përveç këtyre, ka pasur edhe një rivalitet të madh mes lojtarëve të të dyja skuadrave. Personalisht kam pasur gjithnjë grindje me Ksabi Alonson”, tregon Frenk Lampard për “The Sun”. Ai nuk harron pa përmendur edhe goditjen me takë në vitin 2005 në ndeshjen mes dy kombëtareve Anglisë dhe Spanjës, si dhe telefonatat e refuzuara nga spanjolli. “Mbaj mend se shkaktova faull ndaj tij dhe mora karton të verdhë. U përpoqa t’i kërkoj falje, por ishte e kotë. Në mbrëmje, kur dëgjova se çfarë kishte ndodhur, u ndjeva shumë keq dhe i telefonova për t’i kërkuar falje përsëri, por ai nuk pranoi të përgjigjej. Sa herë që hasim njëri-tjetrin, ai më sheh me bisht të syrit”. Në ndryshim me këtë, Lampard flet edhe për raportet e mira me kapitenin e “të kuqve”, Stiven Xherrard. “Stiveni? Është lojtar fantastik. E pashë në ndeshjen kundër Evertonit një javë më parë dhe bëri një paraqitje të mrekullueshme. Ai i jepte energji të gjithë skuadrës së tij. Qetësia që sjellë në lojë ai, është ajo që e bën të veçantë si lojtar. Gjendet në të gjitha pjesët e fushës dhe për një moment mund të ndryshojë fatin e lojës. Kur u supozua se ai do të vinte te Çelsi, u gëzova pa masë. Nëse do të ndodhte kështu, bashkë do të ndërtonin një partneritet të mirë”, deklaroi Lampard. Sikundër respektit për njëritjetrin, loja e Lampard me Xherrardin ka qenë tepër e dobët në fanellën e Kombëtares së Anglisë.