01 shkurt 2009

Ançeloti: Ndaj Lacios pranoj vetëm fitoren

Karlo Ançeloti nuk i zë shumë besë mo mentit delikat që po përjeton skuadra e Lacios. Në prag të kësaj supersfide, tekniku kuqezi flet për gjendjen emergjente të skuadrës së tij në repartin e mbrojtjes: “Është një ndeshje tepër delikate si për ne, ashtu edhe për Lacion. Skuadra ime është në një formë të mirë, thjesht tani e tutje duhet të mësojmë të administrojmë më mirë minutat e lojës. Milani është një skuadër e ndërtuar për të sulmuar, e kur duhet të mbrojë rezultatin has vështirësi. Megjithatë, falë punës së mirë që kemi bërë gjatë këtyre ditëve, besoj se të gjithë ne kemi nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e bëra”. Përsa i përket mundësisë së regjistrimit të David Bekhamit në listën e lojtarëve që do luajnë në Kupën UEFA, trajneri kuqezi shpjegon: “Në radhë të parë, duhet të marrin në konsideratë faktin që Gatuzo po riaftësohet. Nesta po rikuperon e Borielo mund do jetë gati kur të fillojnë ndeshjet e Kupës UEFA. Si rrjedhojë, besoj se do na duhet ta mendojmë mirë nëse do ta aktivizojmë Bekhamin në këtë kompeticion. Ndërkohë, përsa i përket takimit ndaj Lacio, Bekham do ta nisë sfidën nga pankina, pasi mendoj se ka nevojë të pushojë. Dje ka punuar në palestër, e i duhet pak kohë për të rikuperuar energjitë e shpenzuara gjatë këtyre dhjetë ditëve”. Karlo Ançeloti bën gjithashtu, një përmbledhje të lojtarëve të dëmtuar: “Bonerën e ka mbër thyer gripi, por shpresojmë ta rikuperojmë deri në mbrëmje. Në rast të kundërt do të luajë Senderos titullar në krah të Favalit, i cili edhe ai vuan nga një dëmtim në kofshë, por megjithatë, do jetë në fushë ndaj Lacios. Ronaldinjo gjatë javës është stërvitur mirë dhe është gati për të luajtur. Tani për tani është lojtari më i freskët që kam në dispozicion. Nesta? Po punon qetësisht e gjatë këtyre 15 ditëve stërvitjeje nuk ka ndjerë dhimbje. Mund të jetë gati për derbin ndaj Interit. Formacioni anti-Lacio? Nga krahët do jenë të zakonshmit Zambrota e Jankulovski, ndërsa në mesfushë Ambrozini, Kaka dhe Pirlo së bashku me Ronaldinjon, ndërsa në sulm do jetë Aleksandre Pato, i cili gjatë kësaj kohe po luan shumë mirë”, ka përfunduar tekniku i Milanit, Karlo Ançeloti.