02 shkurt 2009

Murinjo: Përgëzime Torinos!

Interi ka barazuar me Torinon dje në “San Siro”. Zhoze Murinjo është përpjekur të tregohet i kënaqur me këtë rezultat: “Do ta shohim në fund nëse është një pikë e vlefshme, por dua të theksoj se jemi shtatë pikë para Juventusit. Barazimi në shtëpi nuk është një rezultat që më pëlqen, por është i pranueshëm. Patëm shumë raste të mira, por Torino u mbrojt shumë mirë dhe normalisht pati edhe pak fat. Ata zhvilluan ndeshjen e jetës. Të them të drejtën na vjen pak inat që nuk fituam, por edhe një pikë ka vlerë. Me Kaljarin kemi fituar vetëm një pikë me shumë vështirësi dhe e shikoni tani se çfarë rezultatesh po arrin Kaljari... Do të më pëlqente të ishim nëntë pikë larg Juves, por gjithsesi mirë jemi edhe kështu”. Ndeshja – “Kemi luajtur kaq mirë 30 minutat e fundit, por bëmë të njëjtën gjë edhe në fillim? Gjithsesi, dihet që ndeshja ndryshon nga fillimi deri në fund. E shtuam ritmin pasi kaluan në avantazh, që është një reagim fantastik, që zakonisht të çon drejt tri pikëve. Gjithsesi ne meritonim më shumë, por është një pikë që shpërblen shpirtin e Torinos”. Kuarezma – Paraqitja e Kuarezmës ka lënë shumë për të dëshiruar. “E kam shumë të vështirë të flas për lojën e tij. Mendova se skuadra kishte nevojë për më shumë hapësirë dhe për këtë arsye aktivizova Figon dhe Kuarezmën. Ky i fundit nuk ka zhvilluar një ndeshje të mirë, duhet të ketë më shumë forcë për të përballuar kritikat dhe duhet të reagojë në mënyrë pozitive. Publiku i ‘San Siros’ nuk është i lehtë dhe ne duhet të kemi forcë për të reaguar. Nuk kanë vërshëllyer vetëm për të. Në Porto ai ishte mbreti. Nuk kishte fare frikë se mos gabonte. Këtu është shumë ndryshe. Loja e tij është shumë e rrezikshme, nëse ai ka frikë të luajë për shkak të tifozëve, do të lodhet shpejt dhe do të bëjë gabime. Në stërvitje është Kuarezma që njohim të gjithë, por në ndeshje nuk arrin të shprehet siç duhet. E kam lënë jashtë formacionit, në mënyrë që të rifitojë besimin e humbur. Megjithatë, mendoj se nuk ka qenë edhe aq keq”. Probleme në sulm – Krespo dhe Kruz nuk e zëvendësojnë dot Adrianon: “Mendonim se kishim rigjetur ekuilibrin kur Adriano është rikthyer në lojë në mënyrë fantastike për tri ndeshje radhazi. Ibra dhe Adriano janë dyshja më e mirë”. Champions – “Nuk e mendoj sfidën kundër Mançesterit si ndeshjen e jetës sime. Unë i njoh shumë mirë dhe mendoj se kemi të njëjtat mundësi për të fituar”. Krespo – Në listën e Ligës së Kampionëve nuk do të jetë Krespo. “E kam biseduar edhe me të. Më vjen keq, por çdo gjë është vendosur tashmë”.