02 shkurt 2009
Morati largon Ibrahimoviçin nga merkato
Ibrahimoviç nuk ka çmim, ose ndoshta po. Për Masimo Moratin do të ishte shumë e vështirë të vendoste nëse sheiku Mansur dhe Mançester Siti do të kishin bërë një ofertë për suedezin, të ngjashme me atë të Kakasë: “Nuk është një lojtar që mund të largohet nga Interi, është shumë vendimtar për ne. Por le të shohim se sa mund të ofrojë sheiku...”, është shprehur me ironi presidenti i Interit. Më pas, ai ka vazhduar të thurë elozhe për sulmuesin zikaltër: “Është një talent unik, është i veçantë, të zbavit kur e sheh tek luan. Ai bën disa gjëra që të mbeten në mendje. Nëse do të vazhdojë me këtë profesionalizëm, mund të bëjë gjëra shumë të mëdha”. Gjëra të tilla që, nëse do të kishte dëshirë, mund t’i realizonte pas disa kohësh edhe Mario Baloteli: “Murinjo, i ashpër me të? Unë kam besim edhe tek inteligjenca e tij dhe mendoj që është një talent i vërtetë. Nëse edhe ai beson të njëjtën gjë dhe merr parasysh faktin që Interi ka nevojë për të, ai do të arrijë ta marrë veten. Lotët? Nuk jam në brendësi të çështjes dhe nuk mund të them nëse lotët ishin prej keqardhjes, apo prej diçkaje tjetër. Shpresoj që të mos mërzitet, sepse ne kemi të gjithë besim tek ai”. Në fund, presidenti i klubit të zikaltërve, ka bërë një koment edhe për merkaton: “Nuk mendoj se do të ketë surpriza. Kualjarela do të transferohet tek Interi? Ai është një lojtar i mirë dhe shënon gjithmonë gola shumë të bukur. Nuk e kemi vendosur ende, të shohim”.