Novelino: Barazimi do të na karikojë
Valter Novelino, trajneri i Torinos, është shumë i kënaqur nga rezultati i arritur nga skuadra e tij kundër Interit: “Ky rezultat është vetëm për ne, jo për Juventusin. Tani mund të bëj lojën time, atë që preferoj. Nuk i kemi bërë favore Juventusit, por vetëm vetes sonë. Sot (dje) mund të kishim marrë tri pikë kundër një skuadre të madhe, të cilën arritëm ta vinim në vështirësi. Duhet të zgjidhim problemet që kemi me goditjet standarte. Pavarësisht pikëve, unë jap më të mirën time në këto kushte. Dua të falënderoj djemtë që po punojnë shumë. Pavarësisht të gjitha vështirësive, me shumë të dëmtuar, sot ka zbritur në fushë një skuadër që më pëlqen dhe jam shumë i kënaqur për këtë”. Torino mund të rikthehet në betejë për qëndrimin në Serinë A: “Të gjithë na quanin të dështuar, por ne do të qëndrojmë këtu”.
SAMPDORIA - Valter Maxarri nuk është shumë i kënaqur nga barazimi me Veronën. “Nuk duhet të festojmë më për golat, sepse sot (dje) pësuam menjëherë golin e barazimit. Duhet të jemi më të përqendruar dhe të rikthehemi menjëherë në lojë. Na ka ndodhur shpeshherë dhe nuk më pëlqen fare kjo gjë”. Por, problemet nuk mungojnë për Sampdorian: “Kemi zhvilluar ndeshjen e shtatë në njëzet ditë dhe përdorim gjithmonë të njëjtët lojtarë. Dihet se çfarë ndodh kur luan shumë, dëmtohesh dhe s’mund të aktivizohesh më”.
KIEVO - Kievo ka barazuar 1-1 pasditen e djeshme me Sampdorian dhe tekniku Domeniko Di Karlo është disi i kënaqur me skuadrën, sepse për vitin 2009 Kievo nuk ka regjistruar asnjë humbje: “Sot duhet të fitonim. Luajtëm shumë mirë, por nuk arritëm të fitonim. Është rezultati i pestë radhazi pozitiv dhe tashmë duhet të mendojmë sesi të marrim tri pikë. Skuadra është në gjendje të mirë, duhet vetëm të përshpejtohet disi. Rruga për shpëtimin është ende e gjatë dhe ne duam t’i fitojmë të gjitha ndeshjet”.
LEÇE - Leçe fiton sërish në Toskanë dhe Mario Bereta është shumë i kënaqur: “Në Toskanë ne zhvillojmë gjithmonë një lojë të mirë. Jam shumë i lumtur për djemtë e mi. Nuk ishte e lehtë sfida e sotme (dje) kundër Sienës, që ka pësuar vetëm pak gola në ndeshjet e fundit. Krijuam disa situata që i shfrytëzuam më së miri. Vuajtëm disi, por pastaj fitorja ishte shumë e merituar. Merita është vetëm e lojtarëve. Janë impenjuar shumë dhe kanë dhënë maksimumin e tyre”, ka përfunduar Mario Bereta.
Presidenti Çelino: Më vjen keq për Juven
Kaljari ka mundur në mënyrë surprizë, por të merituar, formacionin e Klaudio Ranierit, ngjarje kjo që ndodhte pas 41 vjetësh në Torino. Presidenti i klubit kuqeblu, Masimo Çelino, është tejet i lumtur për këtë fitore të të tijve, por në të njëjtën kohë i vjen keq edhe për Juventusin: “Kam një skuadër të jashtëzakonshme dhe jam i nderuar për këtë. Por më vjen keq gjithashtu edhe për Juventusin, pasi i kemi marrë tri pikë shumë të rëndësishme, ndërkohë që ne nuk është se na nevojiteshin aq shumë. Megjithatë jam i bindur se Juve se do ta kalojë shpejt këtë moment negativ, ndërsa unë do rikthehem në shtëpinë time në Majemi, pasi kampionati i Kaljarit tashmë ka përfunduar”, tha Çelino.
Alegri, i ekzaltuar nga lojtarët
Trajneri i skuadrës së Kaljarit është shumë i kënaqur nga paraqitjet e fundit e lojtarëve të tij, mbi të gjitha pas superndeshjes së zhvilluar kundër Juventusit. “Ishte me të vërtet madhështore të triumfojë në Torino ndaj Juventusit. Skuadra shfaqi një futboll të shkëlqyeshëm, por diti edhe të duronte vuajtjen gjatë momenteve në të cilat bardhezinjtë po
na sulmonin. Aktualisht jam shumë i lumtur, pasi na mungojnë vetëm pak pikë për të siguruar matematikisht qëndrimin tonë në Serinë A dhe padyshim që pas atij fillimsezoni katastrofik, askush nuk mund ta mendonte këtë vazhdimësi pozitive tonën. Falënderoj dhe ua dedikoj lojtarëve këtë arritje tonën, sepse e meritojnë plotësisht”, u shpreh Alegri.
Edi Reja: Ndaj Udinezes nuk ishte e lehtë - Kreu i pankinës së Napolit, Edi Reja, e komenton me tone mjaft pozitive barazimin me Udinezen, pavarësisht se lojtarët e tij kaluan fillimisht në avantazh të dy golave. “Në përballjen me friulanët vinin nga tri humbje radhazi dhe sigurisht që ishte shumë e vështirë të zbrisnin në fushë optimistë në arritjen e një fitoreje. E rëndësishme është që skuadra po tregon rritje konstante pas takimeve të fundit dhe të gjithë së bashku duhet të lëmë prapa këtë moment të vështirë. Padyshim që një fitore do të na kishte dhënë më tepër kurajë për vazhdimësinë e kampionatit, por të mërkurën ndaj Juventusit do të kemi një mundësi të artë për të gjetur stimujt e duhur dhe për t’iu rikthyer rrugës së suksesit”, deklaron Edi Reja.