01 shkurt 2009

Murinjo, i ashpër me Balotelin

Zhoze Murinjo ka justifikuar përjash timin e Balotelit nga formacioni që do të zbresë në fushë sot kundër Torinos: “Ai duhet të ketëparaqitje shumë të mirë edhe në fushë, jo vetëm jashtë saj”. Pra, problemi qëndron te sjellja e Super-Marios. Nuk bëhet fjalë për çështje teknike, sepse dhe 18-vjeçari Davide Santon, edhe pse nuk ka shumë eksperiencë, ka hyrë në zemrën e portugezit. “Santon nuk ka shumë prezencë, ndërsa Mario duhet të ketë paraqitje më të mirë. Nëse ai nuk është përgatitur për të qenë i tillë në fushë, aq më pak do të jetë edhe jashtë saj. Ndoshta, mentaliteti që ka, e ndihmon Santon, ndërkohë që kjo gjë nuk ndodh me Marion. E përsëris se, për mua ai është një djalë shumë i mirë. Nëse dikush mendon se unë kam qejf të mos e bëj pjesë të formacionit, e ka shumë gabim. Mua më vjen shumë keq, por ai do ta kuptojë një ditë se kush ia do të mirën dhe kush jo. Dëshira ime është që ai ta kuptojë këtë në kohë, që të ketë mundësi të bëhet një lojtar i madh”. Balotelit i ka ndodhur e njëjta gjë si Adrianos dhe sipas Murinjos, ai do të jetë i vetmi shkaktar i të gjithë aventurës me zikaltrit. “Unë them se është e thjeshtë dhe e vështirë në të njëjtën kohë të punosh me mua. E thjeshtë nëse do të fitosh dhe të përmirësohesh, e vështirë për ata që mendojnë se janë më të mirët e botës dhe nuk iu pëlqen të punojnë, për ata që mendojnë se të gjithë kanë përgjegjësi kundrejt tyre, duke përjashtuar nga vetja çdo detyrim kundrejt të tjerëve. Për këtë arsye, për Marion do të jetë shumë e thjeshtë, ose shumë e vështirë të rikthehet për të punuar me ne. Varet gjithçka nga ai”. Interi është disi i favorizuar përsa i përket sfidës së radhës, që do ta luajnë në shtëpi kundër Torinos, por Zhoze Murinjo nuk toleron asnjë, nëse dëgjon se lufta për titull është e përfunduar: “Interi e di shumë mirë se kampionati nuk ka përfunduar ende. Ka ende kohë për të ndryshuar gjërat. Milani ka barazuar me Xhenoan, një skuadër që ka arritur një barazim edhe me ne. Juventusi ka humbur në transfertë me Udinezen, kundër një formacioni që nuk fitonte prej shumë kohësh dhe është përpjekur shumë për të arritur një fitore të tillë. Pra, si përfundim duhet të them se deri në ndeshjen e fundit asgjë nuk është e sigurt”.