Milani tregohet i pamëshirshëm ndaj Lacios, pasi gjunjëzon përpara tifozerisë së saj skuadrën e Delio Rosit me rezultatin e thellë 0-3. Kuqezinjtë zhvillojnë një ndeshje madhështore dhe falë yjeve të tyre nuk i lënë vend kryeqytetasve të gjejnë rrugën e suksesit, që i mungon prej katër javësh. Kur dukej se pjesa e parë po përfundonte në barazim 0-0, Pato çon në rrjetë një krosim të Devid Bekhamit. Ky episod ia lehtëson gjërat skuadrës së Karlo Ançelotit, të cilët në pjesën e dytë blindojnë fitoren me golat e Ambrozinit në minutën e dytë të 45 minutave të dyta dhe realizmit të Rikardo Kakasë, shtatë minuta përpara vërshëllimës finale. Kryesuesja e kampionatit është ndalur në barazim 1-1 në “San Siro” kundër Torinos, një rezultat ky që nuk i lejon formacionit të Murinjos të fillojë arratinë personale kundrejt ndjekëseve. Gjithsesi, zikaltrit duhet të jenë shumë të kënaqur me këtë pikë të marrë, pasi përveç lojës së shkëlqyer të zhvilluar nga Torino, kampionët në fuqi të Italisë u gjenden në disavantazh në fillimin e pjesës së dytë pas golit të Rolando Biankit. Gjithsesi, kundërpërgjigja e vendasve nuk do të vonojë me mbrojtësin argjentinas, Nikolas Burdiso, edhe pse rastet për të kaluar në avantazh nuk u kanë munguar me Ibrahimoviç, Kruz e Krespo. Ashtu si Interi, edhe Roma duket të kënaqet më nje barazim nga java e 22-të e Serisë A. Djemtë e Luçiano Spaletit të cilët kanë kryesuar gjatë gjithë kohës përballjen me Rexhinën, duhet të dorëzohen në minutat e fundit të takimit, pasi mbrojtësi Loria kthen gabimisht prapa një top, duke ia dorëzuar atë Kocas, kapitenit të Rexhinës dhe ndeshja do të mbyllet në barazim 2-2. Ajo që fiton është Xhenoa, kundërshtarja direkte e Romës për një vend në Ligën e Kampioneve. Djemtë e Gasperinit falë një goli të Krishitos mposhtin Palermon 1-0 dhe blindojnë pozicionin e fundit që dhuron Ligën e Kampioneve. Në ndeshjet e
tjera, Atalanta fiton minimalisht kundër Katanias së Zengës me rezultatin 1-0. Kievo dhe Sampdoria ndahen në një barazim 1-1. Për ekipin e Maxarrit shënon Pacini, në golin e
tij të parë për Sampin. Leçe vazhdon momentin e saj pozitiv duke fituar edhe në transfertën e Sienës me rezultatin 2-1, falë golave të të përhershmëve, Tiriboki dhe Kastilo. Bolonja-Fiorentina – Kjo përballje është shtyrë për shkak të borës së dendur që kishte mbuluar fushën e stadiumit “Dall’Ara” të Bolonjës. Pas një dialogimi mes arbitrit, dy trajnerëve dhe dy kapitenëve është vendosur që ndeshja të shtyhej. Me shumë mundësi, sfida mund të zhvillohet pasditen e sotme në orën 15:00.