01 shkurt 2009
“Do të tregojmë forcën tonë reale”
Dirk Kajt pohoi dje se Liverpuli duhet të mundë Çelsin për të treguar se mbetet skuadra pretendente e titullit kampion të Anglisë në 2009-ën. “Vetëm nëse fitojmë këtë ndeshje, do të tregojmë se mund të mposhtim rivalët tanë më të fortë, - ka thënë holandezi për ‘Daily Star’. – Përballë tyre kemi fituar njëherë në këtë sezon dhe sigurisht që përveç trepikëshit, ajo fitore shërbeu edhe si mesazh për të gjithë. Jemi skuadër që fiton me rivalët direkt për titull dhe këtë do ta bëjmë deri në fund të sezonit”. Sulmuesi i talentuar, ndonëse pret fitoren në ndeshjen e sotme, nuk përjashton mundësinë e një ndeshjeje të fortë. “Të luash me Çelsin është gjithmonë e vështirë. Është një punë e madhe që kërkon përqendrim maksimal nga të gjithë. Gjithsesi, ne jemi të gjithë të motivuar për fitore dhe do t’ia dalim mbanë”, përfundoi Kajt.