01 shkurt 2009

Havier Maskerano premton fitoren

Havier Maskerano thekson se Liverpuli duhet të mposhtë Çelsin nëse ata shpresojnë te fitimi i titullit kampion. Sipas mesfushorit shkatërrues argjentinas, ndeshja e sotme do të jetë vendimtare për të dyja skuadrat, të cilat ndjekin hap pas hapi, Mançesterin në krye të tabelës. “Do të jetë si një ndeshje finale për ne, pasi në të do të ndahen fatet e secilës skuadër. Një barazim do të ishte katastrofë për të dyja skuadrat, sepse në këtë mënyrë, Mançesteri do të shkëputet me 4 pikë nga ndjekësit. Nuk mund të them se lufta për titull ka përfunduar që tani, por me siguri që nëse humbim pikë sërish, atëherë skuadra e Fergusonit do ta ketë shumë më të lehtë mbajtjen e vendit të parë deri në fund të sezonit. Që nga e diela duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet, në mënyrë që titulli të bëhet i yni në fund të majit”, tha Maskerano për “The Sun”