03 prill 2009

Maldini: Karriera ime ka qenë përrallore

Tre muaj para tërheqjes, kapiteni zbulon: Galiani do të heqë fanellën numër 3. Shpresoj ta rimarrin fëmijët e mi

Galiani ka thënë që do ta tërheqë fanellën me numër 3, deri sa ndoshta, një nga dy fëmijët e mi, mund të ketë rastin dhe dëshirë ta riveshë”. Paolo Maldini përpiqet ta përjetojë me qetësi, por edhe me një vello të pashmangshme trishtimi, fundin e karrierës që do të vijë në fund të sezonit. “Do të ishte kënaqësi nëse do të shihja pas disa vjetësh njërin nga djemtë e mi, do të ishte një histori e bukur gazetareske, - tha kapiteni i Milanit. - Por mundet që të marrin një profesion tjetër, ose të dëshirojnë një numër tjetër…”

KARRIERA = SI NJË PËRRALLË - Sigurisht Maldini do të largohet pa kaqardhje. “Historia ime futbollistike, ka qenë një përrallë e bukur, për gjithçka që më ka ndodhur, në mënyrën si ka ndodhur dhe për faktin që kam qenë gjithnjë i lidhur vetëm me një klub, që është ai i qytetit tim. Ëndërroja të isha ky që jam tani. Nuk mendoja se do të tërhiqesha në një mënyrë kaq të bukur. Nëse do të mendoja për jetën dhe karrierën time, do të ishte e vështirë ta mendoja kështu”.

LAMTUMIRA, DITË E TRISHTË - Maldini e ka imagjinuar shpesh ditën e lamtumirës. “Sigurisht, do të jetë një ditë e trishtuar, por e përjetoj i qetë, sepse gjithsesi lë një sport që më ka dhënë shumë kënaqësi në aspektin e punës dhe njerëzor. Marrëdhëniet njerëzore besoj se janë baza e gjithçkaje. Në rastin tim, trofetë e fituar, më bëjnë krenar për atë që arrita të bëj në këtë klub. Unë kam përjetuar një përvojë që më ka dhënë shumë gjëra të bukura dhe pak të këqija, ndonëse janë pjesë e lojës dhe duhet pranuar”.

LAMTUMIRA NGA KOMBËTARJA - Flamur i Milanit dhe i kombëtares, Paolo e gjykon të pamundur një ndeshje të mundshme lamtumire me “axurrët”: “Do të më pëlqente, por besoj se është e vështirë. Kur doli ky propozim, u vlerësua edhe nga Lipi e federata.
Nëse është një ndeshje zyrtare, mund të ketë një kuptim. Problemi është të gjejmë një ndeshje në kalendar”.

15 VJET FANTASTIKË ME “AXURRËT” - “Kombëtarja më ka dhënë shumë, - shpjegon Maldini. - Kam luajtur 4 botërorë, kam pasur përvojë edhe në Europian. Fakti që nuk kam fituar, ka qenë thuajse një rastësi, sepse kam qenë shumë pranë disa herë. Ajo që kam pasur në 15 vjet me kombëtaren e vlerësoj shumë, sepse ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme”.

YOKOHAMA, SUKSESI MË I BUKUR - Megjithatë për të fituar gjetkë, ka menduar Milani. Maldini zgjedh suksesin më të bukur e më emocionues: “Sigurisht i fundit, Botërori për klube në Yokohamë: mund të jetë mbyllja e një historie plot me ndeshje të suksesshme. Edhe i pari, ai në Barcelonë kundër Steauasë, më ka mbetur në mendje: është ndoshta më domethënësi, sepse ishte fillimi i një cikli fitues”.

“NUK DUHET RITHEMELIM” - Pasi falënderon Barezin, “lojtari që më ka ndihmuar më shumë në karrierën time: isha i ri, më trajtonte si një futbollist, por edhe më respektonte”, Maldini flet për Milanin e së ardhmes: “Nuk besoj se duhet një rithemelim, jemi skuadër e madhe. Këtë vit kemi pasur shumë lojtarë të dëmtuar rëndë. Vështirë të jetë parë skuadra që klubi e trajneri kishin hipotezuar në fillim. Tani duhet të investojmë me kriter”.

Milan: Ançeloti, kontratë ose lamtumirë

Pas takimit mes Ançelotit dhe Galianit në selinë e klubit për të ardhmen e trajnerit, duket se janë sqaruar disa gjëra. Nga rezultati vijnë konfirmime të mëdha, në kuptimin që tekniku, siç qe parashikuar, bëri ultimatumin e tij: pa rinovim të kontratës (aktualja skadon pas një viti), secili në rrugën e tij. Që për Karleton do të jetë Londra (Çelsi) ose Madridi (Reali). Pra, një kontratë e re, ose lamtumirë nga Milani.

Adriano: E ardhmja ime? Do të mendohem!

Adriano dhe e ardhmja e tij te Interi. Braziliani lë hapur shumë dyer. “Kontrata ime skadon në 2010-ën, do të mendoj me qetësi nëse do të rinovoj ose jo. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Mourinjon, më ka aktivizuar titullar në disa ndeshje, kundër Milanit e në Champions ndaj Mançesterit. Në ndeshjen e kthimit, më la në stol, por është Mourinjo ai që zgjedh. Megjithatë, unë jam i lumtur dhe trajneri flet gjithnjë me mua”.