03 prill 2009

Kjo është një Spanjë për rekord

Spanja zbulon se di të fitojë duke vuajtur, edhe pse nuk luan një futboll të bukur, pikët i shijojnë. Gjashtë pikët e marra ndaj Turqisë në 1-0 në Bernabeu, 1-2 në "Ali Sami Yen", vlejnë gjysmë bilete për në Afrikën e Jugut në vitin 2010.

Krahasimet

Këto gjashtë pikë e bëjnë kualitetin më pak elegant, por janë shumë të nevojshme. Spanja ka 31 ndeshje pa humbur: më parë e drejtuar nga Aragones, që e shpalli kampione të Evropës dhe tani nga Del Boske, ka vetëm tri barazime. Që kur Del Boske është në krye të skuadrës, kampionët e Evropës kanë fituar gjithmonë: nëntë fitore në nëntë ndeshje (dy gola të pësuar), duke arritur rekordin e të gjitha kohërave, atë të Saldanha në pankinën e Brazilit në vitin 1969. Fitoret radhazi janë 11, rekord kombëtar, më pas erdhi barazimi 0-0 ndaj Italisë, që u mund me penallti.

Besueshmëria

Gazetat spanjolle, dje, përveç se i kanë paraprirë kualifikimit thuajse të sigurt për në Botërorin e Afrikës së Jugut ("Al Mundial!" janë edhe titujt e "Marca" e "As"), synojnë dy gjëra. Nga njëra anë, besueshmërinë praktike: "Besnik në maksimum" ("Mundo"), "Leksione maturie" ("Marca"), "Triumf i ambicies" ("Mundo Deportivo"), "Fiton pikë, humbet stil" ("Publico"). Nga ana tjetër kërkohet roli i Dani Guiza, anti-Raul.

Si një derbi

Sulmuesi i Fenerbahçes të mërkurën në mbrëmje ka luajtur dhjetë minuta, por hyrja e tij në fushë i ka dhënë Spanjës një nerv tjetër, të denjë për një derbi: futbollisti, i lënë në tribunë në Bernabeu, dëshironte të linte një shenjë në stadiumin e Galatasarait, dhe ia doli. "Kuri Riera shënoi golin e fitores, të gjithë, përfshi edhe portierin, shkuan të përqafonin Guizan", shkruante "El Mundo". "As" e ka zgjedhur si lojtarin më të mirë në fushë, duke e motivuar me një shpjegim: "Guizas iu deshën dhjetë minuta në fushë për të revolucionarizuar ndeshjen".

Anti-Raul

Guiza, në Spanjë, konsiderohet si anti-Raul. Duke parë që dy vendet e para në sulm janë të Torresit e Vijas dhe se basku Llorente është në një formë të mirë, për të bëhet pak e vështirë. Vendi i mundshëm i Guizas është vetëm ai i pasuesit ose zëvendësuesit të kapitenit te Madridi. Por ka nga ata që janë edhe kundër tij në Kombëtare, si Ombroso, që mendojnë se është pjesë e shkaktarëve të krizës teknike të Fenerbahçes së Aragones. Po ashtu, ai konsiderohet edhe si protagonist i ndarjes polemizuese me menaxherin e tij, Nuria Bermudez. Guizas në javët e fundit, iu desh të vuante praninë prepotente të "raulistëve".

Në gjueti të Brazilit

"Besimi" i demonstruar të mërkurën në mbrëmje dhe mbështetja e marrë nga shokët, do ta mbyllin debatin për pak kohë: Sepse kjo Spanjë, pa një lider të njohur, e ka forcën e saj te grupi. Në Turqi më të mirët kanë qenë Riera (tetë prezenca), Pike (3), Buskuets (në debutim). Sepse të hysh në këtë skuadër duket krejtësisht e lehtë. Tashmë Spanja mund të përqendrohet te Kupa e Konfederatave, trampolina e nevojshme për të arritur 36 ndeshjet pa humbje të Brazilit të Bebetos e Romarios mes ‘93 dhe ‘96.