01 prill 2009
Gafat, Boruc jashtë Polonisë pas akordit me Leo Benhaker
Portierët dhe gafat, një binom që shpeshherë shihet edhe në ndeshjet ndërkombëtare. Megjithatë, ajo që ndodhi me portierin Artur Boruc është e pazakontë. "Gardiani" i Polonisë ishte lojtari më i dobët në fushë për Kombëtaren e tij, në humbjen 3-2 me Irlandën e Veriut: i pozicionuar keq në golin e parë të kundërshtarëve dhe një huq amatoresk që shkaktoi autogolin e Zevlakov. Vetëm dy javë më parë, Boruc ishte protagonisti i Sëlltik në triumfin në Kupën e Ligës skoceze, të fituar në kohën shtesë kundër Rejnxhërs. Pas ndeshjes me irlandezët, trajneri Leo Benhaker u shpreh i zhgënjyer nga rezultati, por nuk fajësoi portierin: "Duhet të tregohemi të arsyeshëm, pasi bëhet fjalë për një lojtar me shumë eksperiencë. Nëse luan me Poloninë dhe në Ligën e Kampioneve, nuk mendoj se duhet të shqetësohesh për këtë situatë. Do të ishte ndryshe nëse Boruc do të kishte qenë 20 vjeç dhe kjo ishte ndeshja e parë me Kombëtaren. Një trajner nuk mund të mërzitet për gabimet personale". Por, dëshpërimi për paraqitjen e keqe bëri që 29-vjeçari të marrë një vendim drastik. Me mirëkuptimin e trajnerit të përfaqësueses, Boruc u largua nga grumbullimi i Polonisë. "Mund ta imagjinoni edhe vetë sesi ndihet Artur në këto momente, shpjegoi Benhaker. Ndjehet fajtor për humbjen e së shtunës dhe nuk mund të themi se është mirë psikologjikisht. Biseduam me qetësi dhe së bashku dolëm në këtë përfundim: besoj se në këto momente, kthimi i tij në Glasgou është zgjidhja më e mirë për të gjithë". Sot polakët luajnë me San Marinon dhe fitorja kundër ekipit modest është e detyrueshme.