01 shkurt 2009

Torres: Titulli kalon nga “Anfield Road”

Për të konfirmuar çmimin që iu dha nga klubi në fund të vitit të shkuar si “Lojtari më i mirë i 2008-ës”, Fernando Torres ka zgjedhur pikërisht ndeshjen me Çelsin për të demonstruar edhe njëherë cilësitë që ka. Sulmuesi spanjoll e ka lënë pas periudhën e dëmtimeve që e përfshiu në fazën e parë të sezonit dhe aktualisht ndihet në formën e tij më të mirë, ndaj në ndeshjen e sotme synon t’i bëjë sërish për vete tifozët e kuq. “Ka qenë një sezon i vështirë për mua, sepse nuk isha dëmtuar kurrë më parë ashtu si sivjet. Deri tani jam dëmtuar tri herë në gjashtë muaj - shpjegoi Fernando Torres për ‘Liverpool Daily Post’. - Kjo do të thotë se nuk kam dhënë 100% të aftësive të mia, megjithatë tani po gëzoj një formë shumë të mirë dhe nga dita në ditë bëj përmirësim. Tani dua të shoh përpara, sepse ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur në këtë sezon”. Një vit më parë ndaj Çelsit, Torres ka realizuar golin e tij të parë me fanellën e kuqe, çka solli edhe adhurimin e menjëhershëm të 43,924 tifozëve të pranishëm në “Anfield”. “Ishte ndeshja ime e parë në ‘Anfield’ përpara tifozëve të Liverpulit, ndaj do ta mbaj mend gjatë atë gol, i cili shënoi fillimin e një aventure të bukur për mua. E di që një atmosferë e ngjashme me të do të jetë edhe të dielën (sot) në “Anfield”, ndaj dua që të pranishmit të argëtohen duke na parë të fitojmë. Shpresoj që të jem në formën time më të mirë dhe të shënoj gol. Ky stadium është i veçantë për mua dhe dua të realizoj sa herë që luaj këtu”. Për çudi, biondi nuk ka shënuar që prej majit të shkuar në këtë fushë dhe ky fakt tregon qartë periudhën e vështirë që ka kaluar ai. “Është diçka që dua ta ndryshoj, për të mirën time, të skuadrës dhe të fansave të klubit. Ashtu si e thashë më sipër, ky ka JAVA E 25-të qenë një sezon tepër i vështirë e në shumë ndeshje kam
munguar, dhe kjo më bën që ta kërkoj më shumë golin. Shpresoj që golat e mi ta ndihmojnë skuadrën për fitimin e titullit kampion në këtë sezon, por ne nuk luftojmë vetëm për këtë kompeticion. Kupa e Anglisë dhe Liga e Kampioneve janë gjithashtu, objektivat tanë. Jemi në pozicion të mirë në të tria këto dhe duhet të mendojmë pozitivisht se, ky sezon do të flasë vetëm në favor të Liverpulit dhe të asnjë skuadre tjetër. Jeni në luftë për titull dhe të dielën duhet të tregojmë se me të drejtë e meritojmë një trofe të tillë. Humbja e pikëve në ndeshjet e fundit ka qenë zhgënjim i madh për ne, por pavarësisht pengesave që do të hasim me Çelsin, duhet të rikthehemi te fitorja”.