01 shkurt 2009
Benitez: Ndihem i nderuar nga lojtarët që drejtoj
Rafael Benitez insiston se ndihet i lumtur me skuadrën e tij, ndonëse në javët e fundit ajo ka marrë rezultate zhgënjyese. Trajneri i Liverpulit mohoi të ndihet nën presion në “Anfield”, edhe pse në janar humbi kryesimin e tabelës. “Nën presion je kur luan për të mbijetuar në Premier Ligë. Kur je në luftë për fitimin e titullit, apo Ligën e Kampioneve është gjithmonë kënaqësi, për cilindo trajner. Sigurisht që në javët e fundit jemi zhgënjyer, por gjithçka besoj se do të ndryshojë nëse fitojmë me Çelsin. Shpresat për fitimin e titullit do të kthehen”, tha Benitez për “Daily Mail”. Spanjolli shpreson në zgjidhjen e problemit me sulmin, pasi ai është i vetmi repart ku të tijtë kanë treguar dobësi deri tani. “Sezonin e shkuar shënuam 116 gola, më shumë se cilado skuadër tjetër dhe morëm 82 pikë. Rekorde të paarrira më parë nga ne. Problemi ynë i sivjetshëm qëndron në faktin se jemi shumë të organizuar dhe kjo na krijon mungesa në ofensivë. Uroj që në javët në vazhdim të punojmë më tepër në këtë aspekt”.