25 shkurt 2009
Riberi do të qëndrojë shumë gjatë tek Bajerni i Mynihut
Bajerni i Mynihut kërkon të rikuperojë sonte kundra Sportingut 3 rezultatet negative në 4 ndeshjet e fundit të Bundesliges. Këtë mbrëmje skuadra e Tonit me shokë do të jetë e impenjuar në Lisbonë për ndeshjen e parë për 1/8-at e Ligës së Kampioneve. Në prag të sfidës me portugezët e Sportingut të Lisbonës, tekniku Jurgen Klisman ka folur edhe rreth shumë të përfolurit, Frenk Riberi.“Nuk kam frikë se do ta humbasim, -deklaron tekniku i bavarezëve për L’Equipe. Frenku është mirë këtu, dhe është i lumtur që do të qëndrojë. Në qoftë se klubet e tjera interesohen për të, kjo është edhe falë paraqitjeve të tij të mira me ne. Ne jemi të sigurtë për të ardhmen, pasi, Riberi do të qëndrojë edhe për një kohë të gjatë këtu”. Ditët e fundit, për shërbimet e futbollistit francez janë të interesuara skuadrat e Juventusit dhe Realit të Madridit.