02 shkurt 2009

Mesi hyn në histori, shpëton Barcelona

Leo Mesi ka lënë të pandryshuar kreun e Ligës spanjolle. Kështu, nëse Reali ia doli të fitojë pa probleme të shtunën ndaj Numancias, dje Barcelona ka konfirmuar se nuk e ka të lehtë të humbasë. E madje, sërish ka arritur të përmbysë rezultatin, aq sa kartonët e kuq të marrë në fund nga Markez e Pike s’kanë ndikuar aspak. Santanderi shënoi i pari me penalltinë e transformuar nga Zigiç. Por pas dhjetë minutash, Mesi në harkun e një çerek ore fillimisht ka barazuar rezultatin, ndërsa kur mungonin edhe 10 minuta nga fundi, ka garantuar trepikëshin për katalanasit. Në këtë mënyrë, avantazhi ndaj Realit ka mbetur në kuotën e 12 pikëve, por, nga ana tjetër, edhe Mesi ka hyrë në historinë e Barcelonës, përderisa realizoi golin numër 5000 të klubit katalanas në Ligën spanjolle. Në “Riazor”, Deportivo ka gjunjëzuar bindshëm Vilarealin, falë dopietës së Lafitës dhe golit të Rikit. Me këtë rezultat, galicianët shkojnë -1 pikë nga vendi i katërt, që mbahet pikërisht nga Vilareali. Humbet brenda në fushën e vet Atletiko e Madridit, që s’ka mundur të bëjë asgjë ndaj një Valadolidi vërtet në ditë të mbarë. Në këtë situatë, skuadra e dytë e Madridit duket në një krizë të errët. Barazim spektakolar në Sevilje, midis Betisit dhe Getafes. Vendësit kanë shkuar në avantazh të dy golave, falë Juanma e Gonzalez, por pas 33 minutash lojë kanë mbetur me dhjetë vetë për shkak të kartonit të kuq të Juande. Uçe ka përfituar për të barazuar, falë një dy golëshi të realizuar. Në zonën e fundit të renditjes, Espanjoli i Poketinos ka konfirmuar sinjalet inkurajuese. Edhe ndaj Rekreativos, sërish ka mbetur i pathyer, megjithëse ka pësuar golin e barazimit pikërisht në minutën e fundit, atëherë kur dukej se kishte arritur të rrëmbente tri pikë të çmueshme. Kështu, ekipi katalanas vazhdon të gjendet në “bisht”, me pikë të barabarta me Osasunën e Majorkën. Të dyja këto skuadra ishin të impenjuara në duelin direkt, që u vendos nga goli i Pandianit në favor të Osasunës, që ka kapur kështu rivalët në renditje.