20 maj 2009

Volfsburgu në delir, afron festa historike

Skuadra e Volfsburgut, e themeluar pas Luftës së Dytë Botërore dhe e njohur për nivelin e saj mesatar, është 90 minuta larg titullit të parë të Bundesligës në historinë e vet dhe pranë kualifikimit në Ligën e Kampionëve. Nëse fiton kundër Verder Bremenit të shtunën, ajo do të shpallet kampione e Gjermanisë për herë të parë, kurse gjigantët e Bajernit të Mynihut do të mbeten duarbosh. Me dy pikë më shumë se ndjekësit, trajneri i Volfsburgut, Feliks Magat, sikur po hakmerret ndaj drejtuesve të Bajernit të Mynihut, që e shkarkuan para dy vjetësh.
Edhe pse në atë sezon ai i dha Bajernit dy trofe, kampionatin dhe Kupën e Gjermanisë, Magat u shkarkua në shkurt të vitit 2007 kur skuadra e tij ishte pranë vendit të parë. Kur Bajerni fitonte ligën dhe kupën sezonin e shkuar, Volfsburgu u rendit në vendin e pestë dhe zuri një vend në Kupën UEFA. Kjo ishte një arritje e madhe për një skuadër që një sezon më parë luftonte për të qëndruar në Bundesligë.
Suksesi më i madh i Volfsburgut para këtij sezoni ka qenë finalja e Kupës së Gjermanisë në sezonin 1995. Por ky sezon ka qenë krejt ndryshe, pasi Volfsburgu ka synuar të paktën një vend në Kupën UEFA gjatë gjithë sezonit. Kur Bajerni shkarkoi Klinsmanin në fund të prillit, pas dhjetë muajsh në krye të skuadrës, Volfsburgu i gëzohej rekordit prej 11 ndeshjesh pa humbje.
Shpartallimi 5-0 i Hanoverit javën që shkoi u dha atyre avantazhin prej dy pikësh në Bundesligë dhe mundësinë e rrallë për të fituar titullin. Një fitore në fushën e vet kundër Bremenit do t’i jepte trajnerit Magat titullin e tretë kampion në Gjermani. “Tani kemi siguruar të paktën vendin e dytë dhe kjo është shumë mirë për ne”, ka thënë Magat.
“Në fakt ne kemi përballë një kundërshtar të fortë javën që vjen, Verder Bremenin. Do të luajmë për fitore për të marrë titullin e parë kampion”. Si lojtar, Magat ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij te Hamburgu dhe fitoi me këtë skuadër Kupën e Europës në vitin 1983, madje ai ishte autor i golit të fitores kundër Juventusit, por si trajner ka drejtuar tetë skuadra të ndryshme.
Lista mund të shkojë në nëntë në korrik, nëse ai merr drejtimin e Shalke 04. Nëse largohet, ai do ta lërë Volfsburgun në formë të shkëlqyer dhe do të zëvendësohet nga ish-trajneri i Shtutgartit, Armin Veh. Festimet do të jenë të mëdha nëse Volfsburgu, kjo skuadër e themeluar në shtator 1945 si skuadra e punëtorëve të Volksvagenit, do të fitojë titullin të shtunën.
Pronar i këtij klubi është prodhuesi i makinave Volksvagen dhe stadiumi i Volfsburgut, “Volksagen Arena”, është fare pranë fabrikës gjigante të makinave Volksvagen. Kryesuese e kampionatit që prej 4 prillit, në themel të suksesit të kësaj skuadre është loja e organizatorit Zvjezdan Misimoviç e kombinuar me golat e brazilianit Grafite dhe boshnjakut Edin Dzeko. Dzeko u ble nga skuadra çeke e FK Teplicës në korrik 2007, por tani lojtari 23-vjeçar mund të veshë fanellën e Milanit ose Çelsit.
Grafite, 30 vjeç, mund të jetë pjesë e skuadrës braziliane në Botërorin 2010, duke qenë se është golashënuesi më i mirë i Bundesligës me 26 gola në 24 ndeshje, ndërsa Dzeko ka shënuar 25 gola në 31 ndeshje. Dy golashënuesit më të mirë të Bundesligës kanë pasur fatin të furnizohen me topa të shumtë nga organizatori Misimoviç. Por a do ta përsërisë veten Volfsburgu vitin që vjen dhe a do të mund t’i bëjë ballë testit të fortë në Ligën e Kampionëve, kjo mbetet për t’u parë.