30 maj 2009

Xhila paralajmëron: Po shënova do të festoj

Sulmuesi i Fiorentinës shprehur entuziast për përballjen kundër ish-skuadrës së tij, Milanit
Tre, tre, pesë… Mesazhi është dërguar. “Sigurisht që i kam dërguar një mesazh Paolos. Paolo Maldini meriton vetëm duartrokitje dhe e di se tifozët tanë do ta bëjnë këtë. Por më pas…”. Më pas? “Më pas fitoren e duam ne”. Pikërisht Xhila kundër Milanit. “Kjo është ndeshja, - ka thënë Alberto Xhilardino.
- Por duhet të jetë e qartë një gjë, fakti që kemi siguruar vendin e katërt një javë para fundit të kampionatit është një arritje që meriton të vlerësohet, dhe nëse më pas do të vijë edhe vendi i tretë do të ishte një gjë fantastike. Kemi kaluar momente të vështira dhe arritëm të ringrihemi falë forcës së të gjithëve.
Disa mendonin se kishim marrë fund, por ne jemi akoma aty ku duhet”. Gjithashtu, sulmuesi vjollcë ka bërë të ditur se do të festojë në rast se do të shënojë kundër ish-ekipit të tij. “Sigurisht që do të festoj, nga njëra anë sepse është diçka normale, nga tjetra sepse vërshëllimat që mora në “San Siro” nuk i kam harruar. Më pas (qesh) nëse mund të vërshëllejnë një lojtar si Maldini unë as që llogaritem, por jam mësuar të jap gjithçka për fanellën me të cilën luaj. Nëse kam dëshirë për hakmarrje? Jo.
Eshtë një ndeshje shumë e rëndësishme, dua ta fitoj për ekipin dhe Firencen. Tek Milani isha pjesë e një grupi fantastik, ku fitova Championsin, Kupën Interkontinentale, Superkupën e Europës. Natyrisht, nuk ka pasur vetëm momente të bukura, por 44-45 gola në tre vite nuk janë pak”.
Për të arritur në vendin e tretë ekipi vjollcë duhet të fitojë me dy gola diferencë. “Nuk është e pamundur, por as e lehtë. E di mirë sesi i përgatiste Milani ndeshjet e rëndësishme. Por besoj tek arritja e këtij objektivi, për dëshirën që kemi dhe për mbështetjen që do të na japë publiku ynë”. Ndërkohë, edhe një vit më parë Fiorentina doli e 4-ta në kampionat, duke lënë Milanin jashtë Championsit.
Ndoshta Xhilardino bënte tifo për Fiorentinën që në atë kohë. “Jo. Isha një lojtar i Milanit, nuk e dija akoma se si do të shkonin gjërat. Sigurisht, në fund të kampionatit kanë filluar kontaktet”. Ish-sulmuesi i kuqezinjve tani është në kërkim të golit të 20 në kampionat. “Ndoshta vjen nesër, por nuk duhet ta themi para kohe këtë pasi është fat i keq”. Por ka kohë që Xhila nuk feston golat, duke bërë gjestin e violinës siç bënte kur luante me Parmën. “Nuk e kam harruar, por e kam ruajtur. Violina është vetëm për rastet e jashtëzakonshme…”.