30 maj 2009

Leonardo është trajneri i ri i Milanit

Njoftimi do të jepet të hënën. Në staf do të jetë edhe një teknik për aspektin e taktikës. Konfirmohet Tonjaçini
Pasi ka qenë një lojtar i madh në fushë, Leonardo është një nga njerëzit e besueshëm të Milanit edhe jashtë. Kështu, “shpikja” e Silvio Berluskonit quhet pikërisht Leonardo. Me përjashtim të ndonjë surprize, që gjithsesi është mirë të mos nënvlerësohet, të hënën Milani do të njoftojë emrin e trajnerit të ri. Pasi “të likujdohet” epoka e Ançelotit, që do të shkojë te Çelsi, do të hapet ajo e Leonardos do Nashimento de Arauzho, 39 vjeç. Nga tryeza e punës në fushë pa kaluar asnjë rrezik? Një mësymje në “errësirë”? Do të jenë rezultatet që do të japin përgjigjet e duhura. Për momentin akoma nuk njihen njerëzit, të cilët duhet të bashkëpunojnë me Leonardon.
Nëse Mauro Tasoti është i superkonfirmuar, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Filipo Galin, të cilit i është propozuar drejtimit i skuadrës së të rinjve milanistë. Shumë ide në tryezë, përfshirë atë të krijimit të një roli të ri të brendshëm në staf, atij taktik.
Bëhet fjalë për një trajner, i cili duhet të kujdeset për vizionin e kundërshtarëve, të mënyrës së tyre të të luajturit, të karakteristikave të tyre fizike e teknike dhe që duhet t’i dorëzojë një relacion trajnerit. Një detyrë e veçantë në llojin e vet: asnjë klub i Serisë A nuk ka një figurë të tillë. Milani po përpiqet të individualizojë njeriun e përshtatshëm për këtë funksion: disa kandidatë janë “testuar” që tani.
Një tjetër pikë për t’u sqaruar në këtë fund sezoni të turbullt, është organizimi i sektorit mjekësor dhe struktura e Milan Lab-it. Leonardo, në bisedimet e fundit me Galianin, paska këshilluar disa modifikime, administratori i deleguar kuqezi po mendohet. Sigurisht, belgu Zhan Pier Merseman nuk do ta ndjekë më skuadrën e parë, por do të kujdeset vetëm për sektorin “kërkues e zhvillues” të Milan Lab-it, që ka marrëveshje ekonomike të rëndësishme dhe të ngushta me shumë shoqëri të huaja. Pasi të ketë sistemuar sektorin mjekësor, duhet analizuar aspekti i përgatitjes fizike. Përgjegjësi do të jetë Daniele Tonjaçini. Edhe nga aspekti atletik, sezoni duhet planifikuar, duke menduar tipin e lojës, që braziliani ka ndër mend të zhvillojë me Milanin e ri.