30 maj 2009

Juvja, Konte parakalon Çiro Ferrarën

Duket se trajneri i Barit është i parapëlqyeri i drejtuesve të klubit për sezonin e ri
Juventusi ka zgjedhur identikitin e trajnerit të ardhshëm: do të jetë një emër i lidhur me botën bardhezi, që i njeh me përsosmëri dinamikat e klubit dhe që do të dijë të mbyllë çdo problem që mund të krijohet brenda skuadrës. Ja pse emrat e mbetur në listë, janë kryesisht dy dhe janë ato të Antonio Kontes dhe Çiro Ferrarës. Trajneri aktual i Barit është për momentin favoriti kryesor për stolin bardhezi.
Administratori i deleguar i klubit, Blank dhe drejtori sportiv Seko, kanë pasur një takim gjatë kësaj jave për të planifikuar sezonin e ardhshëm (stërvitje, miqësore, organizimi në prag të kampionatit) dhe për të rënë dakord për strategjitë e fundit të merkatës, kanë individualizuar njeriun ideal për të drejtuar “Zonjën”. Një konfirmim i tillë vjen edhe nga Xhiovani Koboli Xhilji, që ka deklaruar: “Do të orientohemi tek një trajner i ri dhe pa shumë përvojë, - pranon presidenti juventin. - Megjithatë llogaritë do t’i bëjmë javën që vjen”.
Të gjitha të dhëna pra, që të çojnë te emri i Kontes. Seko, Blank e Koboli Xhilji këmbëngulin që të sjellin në stol trajnerin e Barit, edhe pse mbetet për t’u bindur Xhon Elkan, i cili pëlqen Spaletin dhe nuk duket shumë i entuziazmuar nga ish-mesfushori bardhezi, jo shumë për “curriculumin”, sesa për një lidhje të fortë me klubin në vitet e fundit. Për sa i takon Ferrarës, nuk është se do të largohet nga klubi. Çiro, që para se të drejtonte skuadrën në këto dy javë të fundit, ka ditur shumë mirë të stërvisë sektorin e të rinjve bardhezinj dhe mund t’i bëhet një ofertë interesante: ajo e bashkëpunëtorit të Kontes. Mbetet për t’u parë në këtë rast çfarë do të vendosë Ferrara. Të pranojë e të vazhdojë punën e tij te bardhezinjtë, apo të refuzojë e të përqendrohet ekskluzivisht te botërori, ku do të jetë protagonist me stafin e Lipit?