30 maj 2009

Eto‘o plus 20 mln euro për Ibrën

Barça i ka idetë e qarta: pas Champions, tani objektivi është Zlatan Ibrahimoviç. Pasi realizoi ëndrrën duke rifituar trofeun më të rëndësishëm për klube, presidenti i katalanëve, Johan Laporta, dëshiron edhe sulmuesin e Interit. Ibra mund të transferohet në "Kamp Nou" në një marrëveshje që do të sjellë në kampin e kundërt Samuel Eto‘o. Vetëm pak ditë më parë, kamerunasi shënoi golin që i hapi rrugën marshit triumfues të blaugranave në Romë. Kontrata e tij skadon në vitin 2010 dhe sulmuesi nuk e ka fshehur dëshirën se kërkon një aventurë të re. Laporta mendon ta shfrytëzojë situatën, për të ndërtuar dyshen e ëndrrave në sulm, Ibrahimoviç­Mesi. Alternativat janë dy: t‘i propozojë Interit kartonin e kamerunasit dhe 20 milionë euro, ose të paraqitet me një valixhe që përmban 60 milionë euro. Te Barcelona suedezi do të përfitonte 7.5 milionë euro për pesë sezonet e ardhshme, shifër që me përfitimet nga sponsorët, të drejtat e imazhit dhe shpërblimet për rezultate sportive, do të kapin kuotën 14 milionë euro në sezon.