30 maj 2009

Berluskoni-Maldinit: Mos i merr ata në konsideratë!

Heshtja e të gjithëve të hënën, shfryrja e Paolo Maldinit të martën, letra e Adriano Galianit të mërkurën. Dhe në fund, dje pasdite, në një pushim të rrallë mes përkushtimeve politike, vjen ndërhyrja e pritshme dhe e rëndësishme e Silvio Berluskonit: “Ajo e së dielës ishte një reagim i pak njerëzve, që nuk duhen marrë në konsideratë. Janë të njëjtët që më akuzuan mua se nuk investoj shumë për të përforcuar Milanin. Dhe të mendosh se në sezonin e fundit kam shpenzuar thuajse 70 milionë euro”. Por Maldini ndjeu zhgënjim, sepse klubi nuk e mbrojti: “E përsëris se ata që e fyen janë pak tifozë që s’u duhet dhënë shumë rëndësi, - shpjegon presidenti kuqezi. - Madje, duke i quajtur kështu, është një përgëzim për ata. Për fat të keq i prishën festën, në një ditë të keqe për humbjen me Romën.
Për këtë dua që Paolo të përshëndetet me meritë në një tjetër rast. Ai më ka thënë se nuk do të luajë një ndeshje lamtumire, sepse nuk është për këto gjëra, por shpresoj t’ia ndryshoj idenë. Mund të organizohet një mbrëmje e madhe siç kemi bërë për shembull për lamtumirën e Franko Barezit. Maldini i ka dhënë shumë Milanit dhe është e drejtë që të festojë një mbrëmje kënaqësie. Çfarë mendova kur kolegu im Laporta ngriti Championsin me Barcelonën? Mendova që mbi kupë është shkruar pesë herë emri i Milanit. M’u bë qejfi që e lexova dhe u gëzova që e lexuan edhe të tjerët, sepse jam gjithnjë presidenti që kam fituar më shumë”.