20 maj 2009

Bilefeldi thërret “zjarrfikësin” Berger

Skuadra e rrezikuar për të rënë nga Bundesliga, Arminia Bilefeld, ka emëruar në krye të skuadrës trajnerin Joerg Berger për t’i shpëtuar nga rënia kur ka mbetur edhe një ndeshje deri në fund të kampionatit. Trajneri 64-vjeçar, i cili ka reputacionin e shpëtuesit të skuadrave të vogla dhe njihet me nofkën “zjarrfikësi” dhe “motivuesi i madh”, ka thënë se do të jetë në krye të kësaj skuadre për një ndeshje të vetme, atë kundër Hanover 96, që luhet të shtunën, dhe se nuk do të diskutojë një kontratë më të gjatë para kësaj ndeshjeje. “Gjëja më e rëndësishme është ndeshja kundër Hanoverit.
Nuk do të bisedoj për asgjë tjetër”, ka thënë ish-trajneri i Aintrahtit të Frankfurtit dhe i Shalke 04. Bilefeldi shkarkoi të dielën trajnerin Mikael Frontzek pas humbjes 6 0 kundër Borusias së Dortmundit dhe ra në vendin e tretë nga fundi me 27 pikë, por me golavarazh më të mirë se Energjia e Kotbusit. Karlsruhe është në vend të fundit me 26 pikë. Dy skuadrat e fundit bien automatikisht dhe skuadra e tretë luan një ndeshje playof kundër vendit të tretë të kategorisë së dytë.