30 maj 2009

Kasano-Inter, këtë herë është e mundur

Te Sampdoria duhet të shkojnë David Suazo, Luiz Himenez dhe një shumë e caktuar parash
Rikthehet sërish çështja Anotnio Kasano tek Interi. Marrëveshja me Sampdorian duket se ka filluar të diskutohet. Këtë herë me të vërtetë. Kontaktet midis Sampit dhe klubit zikaltër po zhvillohen në nivele të larta për të përcaktuar pagesën e klauzolës prej 18 milion eurosh.
Pa harruar se klubi gjenovez duhet t’i paguajë Realit të Madridit një shumë prej 5 milion eurosh në rastin e një shitjeje të mundshme. Një shumë e madhe kjo duke konsideruar periudhën e krizës. Por Sampdoria i ka premtuar Kasanos se do ta ndihmonte në rastin e një kalimi të tij të mundshëm tek një klub i madh.
Dhe dihet, Kasano është edhe një tifoz i Interit. Kështu për t’ja lehtësuar tranferimin lojatrit, presidenti Garrone dhe drejtori i përgjithshëm Marrota kanë pranuar përfshirjen në marrëveshje të dy kundërofertave teknike që pëlqehen nga trajneri i ri Xhixhi Delneri: sulmuesin nga Hondurasi, David Suazo, i cili është kthyer nga Benfika pas fundit të periudhës së borxhit, dhe kilianin Luiz Himenez. Në lidhje me shumën që do të shpenzojë Interi kjo do të varet nga lloji i marrëveshjes që do të arrihet për dy lojtarët zikaltër. Eshtë e sigurt se gjithçka do të startojë nga një bazë prej 5 milionësh, domethënë paratë që do të shkojnë në Madrid.
Pëlqimi i Masimo Moratit për talentin barez është rritur më shumë gjatë vitit të fundit edhe për shkak të përmirësimit të lojtarit në aspketin e sjelljes së tij gjithnjë dhe më të qetë. Kjo tregon se të gjitha dyshimet që ka pasur Interi, dhe që nuk kanë bërë të mundur realizimin e kësaj marrëveshjeje kur barezi kërkohej me ngulm nga Roberto Mançini, janë fshirë. Janë zhvilluar diskutimet e para edhe përsa i përket pagesës së Kasanos.
Tani ai përfiton 3,2 milion euro në sezon dhe kërkon një përshtatje të kontratës që do ta fuste tek lojtarët më të paguar tek zikaltrit. Nga ana tjetër një arsyetim të tillë agjenti i tij Bepe Boco e kishte bërë edhe disa muaj më parë në kontaktet që ka pasur me Juventusin. Me një pagesë të lartë, Kasano do të kishte garancinë se klubi beson me të vërtetë tek cilësitë e tij. Ndërkohë do të ishin të kota garancitë për një vend si titullar, që natyrisht Mourinjo nuk mund (dhe nuk do) ta japë. Kështu Interi dhe Sampdoria duket se këtë herë janë në rrugën e duhur.