30 maj 2009

Juventus-Trezege, tani është përplasje e ashpër

Marseja, por jo vetëm. Ka shumë klube që janë interesuar për David Trezege. Të paktën kështu është shprehur Antonio Kaliendo, menaxheri i sulmuesit të Juventusit, të cilin presidenti Koboli Xhili e ka nxjerrë në merkato në pritje të një oferte joshëse. “Nuk jam unë ai që duhet të flasë për dëshirat e Juventusit lidhur me shitjen e Trezegesë, – ka deklaruar Kaliendo, – por duke dëgjuar ato që ka thënë Koboli Xhili, nuk mund të bëj gjë tjetër veçse t’i regjistroj. Sigurisht që përpara një oferte joshëse që mund t’i ofrohet shoqërisë duhet të jetë dhe një pagesë joshëse për lojtarin, pasi nuk duhet harruar që David ka ende një kontratë dyvjeçare me bardhezinjtë. Megjithatë javën e ardhshme do të zhvillojmë një takim me Juven dhe vetëm pas tij do të bëjmë të ditur vendimin tonë”. Skuadrat e interesuara – “Nuk është vetëm Marseja e Deshampit, që në fakt e njeh mirë Trezegenë, por ka edhe shumë skuadra të tjera që janë të interesuara për të”, ka shtuar Kaliendo. Siç e ka theksuar edhe më parë, lojtari i Juventusit mund të transferohet edhe tek Roma: “Verdhekuqtë do të ishin zgjedhja e jetës së tij. Megjithatë David ka mjaft mundësi zgjedhjeje, sepse edhe klubet që e kërkojnë janë të shumtë. Gjithsesi, në fund të kampionatit, kur Juventusi të qartësojë qëndrimin e vet në nivel drejtimi, si dhe për sa i përket trajnerit të ri, do të përpiqemi të gjejmë zgjidhjen e duhur për Trezegenë. Ndonëse ai është mjaft i pakënaqur për mënyrën sesi ka shkuar ky sezon, vazhdon të mbetet një kampion bote, kampion evropian. Ai ka fituar shumë tituj dhe ka qenë golashënuesi më i mirë edhe në Itali. Mirëpo nuk është i kënaqur me pankinën. Nuk i pëlqen fakti që duhet të jetë rezervë, apo edhe mundësia e tretë, për arsye se kjo nuk i përshtatet një lojtari si ai, – ka shpjeguar menaxheri i sulmuesit francez. - Këto janë edhe arsyet pse ai nuk po ndihet aspak mirë në këtë skuadër, për të cilën ka dhënë jashtëzakonisht shumë për vite me radhë. Gjithsesi mendoj se edhe drejtuesit e shoqërisë së bardhezinjve nuk e kanë vlerësuar mjaftueshëm punën e tij për tetë sezone me radhë, përderisa e kanë nxjerrë menjëherë në merkato”, ka përfunduar Kaliendo.