20 maj 2009

Uli Hënes: Do të shpenzojmë në merkato

Menaxheri i përgjithshëm i Bajernit të Mynihut, Uli Hënes, ka thënë se klubi bavarez do të investojë fuqishëm në verë nëse kualifikohet për Ligën e Kampionëve. Hënes ka thënë se pas një mbledhjeje të bordit drejtues të klubit, Bajerni do të jetë aktiv në merkaton e verës për të forcuar ekipin për trajnerin e tij Luis van Gal. “Si çdo vit, ne kemi pasur një buxhet të madh.
Por nëse nuk kualifikohemi për në Ligën e Kampionëve, planet tona të investimeve mund të ndryshojnë”, ka thënë Hënes. Bajerni ka blerë që më herët lojtarë si Ivica Oliç, Anatoli Timoshuk dhe Aleksander Baumjohan, por nuk ka harxhuar shumë, duke qenë se Oliç dhe Baumjohan i ka marrë si lojtarë të lirë.
Një tjetër sulmues duket se do të jetë prioriteti i Bajernit, pasi Podolski do të shkojë te Këlni, ndërsa Mario Gomezi i Shtutgartit nuk është objektiv i bavarezëve. “Gomezi nuk hyn në planet tona për momentin”, ka shtuar Hënesi.
Bajerni do të ndeshet kundër Shtutgartit të Gomezit në ndeshjen e fundit të Bundesligës, kur as fitorja nuk do të jetë e mjaftueshme për t’u siguruar titullin, pasi edhe Verder Bremeni duhet të fitojë kundër Volfsburgut në fushën e saj, një mision i pamundur këtë sezon për asnjë skuadër të Bundesligës. Së pari, Bremeni do të luajë sonte finalen e Kupës UEFA, ndërkohë që më 30 maj, do të luajë finalen e Kupës së Gjermanisë. Por Hënes beson se Verderi do të japë maksimumin kundër Volfsburgut.
“Kemi besim te drejtuesit e Bremenit dhe trajneri Tomas Shaf”, ka thënë Hënes. “E dimë se ata do të përpiqen ta mbyllin sezonin bukur dhe nuk mendojmë se do të munden siç u mund Hanoveri, javën që shkoi”. Volfsburgu fitoi 5-0 kundër Hanoverit javën e shkuar dhe tani ka dy pikë më shumë se ndjekësit në krye të renditjes. Kjo do të thotë që ndeshja Bajern-Shtutgart në “Allianz Arena” mund të jetë më shumë një betejë për vendin e dytë.