20 maj 2009

Mbyllet karriera e Mikael Tarnatit

Mikael Tarnat i skuadrës Hanover është ndier i tronditur dhe i zhgënjyer nga lajmi se karriera e tij efektivisht ka marrë fund. Lojtari 39-vjeçar është informuar disa orë para ndeshjes së javës së shkuar mes Hanoverit dhe Volfsburgut se kontrata e tij, e cila skadonte në muajin qershor, nuk do të rinovohej. Tarnat ka shumë mundësi të varë këpucët në gozhdë, por ka pohuar se ndihej i braktisur nga klubi i tij. “Katër orë para ndeshjes më thanë se kontrata ime nuk do të rinovohej”, ka thënë ish-mbrojtësi i Bajernit të Mynihut dhe Mançester Sitit.
“Mënyra se si ndodhi ishte tronditëse dhe zhgënjyese. Ne patëm një bisedë në muajin prill dhe unë u thashë drejtuesve se do të doja të luaja edhe për një vit, aq më shumë që këtë vit nuk luajta shumë, sepse kam qenë i dëmtuar. Klubi më tha se do të mendohej. Asgjë nuk ndodhi deri tani. Trajneri Diter Heking më tha se do të luaja kundër Volfsburgut dhe pa mbaruar fjalën shtoi se kontrata ime nuk do të rinovohej”.