01 maj 2009

Riberi: Qëndroj vetëm po luajtëm në Champions

Frenk Riberi deklaroi se do të largohet nga Bajerni i Mynihut, nëse skuadra nuk arrin të kualifikohet në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve. Mesfushori francez nuk hezitoi të pranonte formën e dobët që po kalojnë bavarezët në Bundesligë, që u shoqërua me largimin e trajnerit Jurgen Klinsman. Barcelona, Reali i Madridit, Juventusi, Interi dhe Mançester Junajted janë vetëm disa prej skuadrave që interesohen për 26-vjeçarin. "Do të ishte shumë e vështirë të qëndroja me Bajernin nëse nuk luajmë në Champions", deklaroi ylli i përfaqësueses transalpine për "L‘Equipe". "Kjo është arsyeja përse skuadra duhet të bëjë të pamundurën, që të paktën ta mbyllim kampionatin në vendin e dytë". Fatura për zhgënjimet e kampionëve në fuqi të Bundesligës u pagua nga Klinsman. Poshtërimi nga Barcelona në Champions dhe humbja në fundjavë me Shalken bënë që drejtuesit e klubit të emëronin teknikun e mirënjohur, Jup Heinkes. Riberi shtoi se vendimi për të ndryshuar trajnerin ishte i drejtë. "Nuk kemi luajtur aspak mirë gjatë këtyre javëve të fundit dhe situata rreth trajnerit ishte mjaft e tensionuar. Presioni i tifozëve ishte i madh. Pas humbjes me Shalken e dinim se diçka do të ndodhte. Kur je te Bajerni i Mynihut, je i detyruar ta fitosh çdo ndeshje dhe duhet të jesh gjithmonë në garë për trofe. Ndërsa ne, momentalisht renditemi vetëm të tretët në kampionat", pohoi francezi.