01 maj 2009

Galiani: Titulli, çështje e mbyllur. Ançeloti do të qëndrojë me ne

Goli me dorë në derbi, që sipas Adriano Galianit dhe Silvio Berluskonit ka qenë deciziv në ecurinë e Milanit në krahasim me Interin dhe penalltitë e dhënë nga gjyqtarët për kuqezinjtë, kanë ndezur situatën mes dy klubeve milaneze. Për të zbutur paksa këtë situatë ka dalë dje para shtypit, administratori i deleguar i Milanit, Ardiano Galiani. Sipas tij, çështja e titullit kampion është e mbyllur. Këtë e thonë 7 pikët avantazh të zikaltërve, por e konfirmon edhe vetë drejtuesi i lartë të rivalëve historikë, Galiani. Në këto javë të fundit të kampionatit, numri dy i klubit të rrugës "Turati", ka shpjeguar se, "pavarësisht se sa pikë do të mund të mbledhë Milani, Interi do të koleksionojë më shumë se 8 pikë. Në këtë mes nuk ka vend për analogji në lidhje me rikuperimin në vitin 1999, sepse atëherë koha në dispozicion ishte mjaftueshme". Galiani është rikthyer të flasë për të ardhmin e trajnerit Karlo Ançeloti, një nga çështjet më të debatueshme në këto momente. Argumenti u rindez një ditë më parë nga presidenti Silvio Berluskoni, i cili nuk e fsheh idenë e rinovimit të skuadrës, ashtu siç ndodhi në momentin e ardhjes së Arrigo Sakit, apo më pas të Fabio Kapelos në drejtimin e Milanit. Ndërsa, administratori i deleguar ka shkuar kundër rrymës: "Kush do të ulet sezonin e ardhshëm në pankinën e Milanit? Ançeloti. Me presidentin flas gati çdo ditë dhe siç kam thënë gjithmonë, do të diskutojmë në fund të kampionatit. Me Karlon kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe i jemi gjendur njëri-tjetrit si në të mira ashtu edhe në këtë këqija". Qëndrimin e Ançelotit te Milani e konfirmon edhe Aleksandër Pato. "Mendoj se od të qëndrojë me ne dhe do të fitojmë shumë tituj, sepse është i lumtur që punon për Milanin", ka thënë dje sulmuesi brazilian.