01 maj 2009

Dhuna ndaj gjyqtarëve italianë, FSHF-ja "kryqëzon" Shkumbinin

FSHF ka reaguar me shpejtësi pas ngjarjeve të shëmtuara të pasdites së djeshme në fushën e Peqinit gjatë ndeshjes së kthimit, e vlefshme për gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, Shkumbini-Flamurtarit 1-1. Tifozët dhe një pjesë e stafit sulmuan fizikisht lojtarët miq dhe tre gjyqtarët italianë. Gjyqtarët e Serisë A dhe të dërguarit e FSHF-së, të pranishëm në sfidën e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, përpiluan relacione të detajuara me episodet. Pasi u shqyrtuan në mënyrë urgjente dje në Komisionin e Disiplinës, u morën masa të ashpra ndaj klubit të Shkumbinit. Disiplina e ka konsideruar të drejtë ndërprerjen e ndeshjes për shkak të dhunës dhe tensionit, që shpërtheu në minutën e 88-të. Për këtë arsye, ata kanë vendosur të ndëshkojnë klubin organizator me humbjen e ndeshjes në tavolinë 0-2 dhe dënimin e fushës për 4 ndeshje. Kësaj i bashkëngjitet edhe një 300000 lekësh të reja. Por jashtë "shënjestrës" së komisionit nuk kanë ngelur as drejtuesit e klubit. Me nga tri ndeshje pezullim janë dënuar edhe shefi i klubit, Astrit Isai dhe zv/trajneri, Sokol Branica.