Portugezi ka pranuar se skuadra e tij nuk është në nivelin e klubeve më të mira të Europës
Një Hoze Mourinjo në 360 gradë. Ka përsëritur se nuk ka ndërmend të largohet nga Interi, dhe ka nënvizuar se zikaltirt nuk janë akoma në nivelin e klubeve më të mira të Europës, (”Jam i bindur se nëse do të kishim shkuar deri në gjysmëfinalet e Championsit ose edhe në finale nuk do ta kishim fituar kmapionatin”). “Ka nga ata që mendojnë se unë dua të largohem nga Interi, por kjo nuk është e vërtetë.
Eshtë e vërtetë se dua të kem sukses në tre kampionate, kam fituar në Angli dhe në Itali, do të më pëlqente ta bëja një gjë të tillë edhe në Spanjë, por kam akoma shumë vite përpara meje për ta realizuar këtë”. Kështu, me këto fjalë Mourinjo ka përsëritur dëshirën e tij për të qëndruar në Milano.
Më pas rikthehet të flasë për skuadrën e tij: “Jemi inferiorë ndaj Barcelonës, Çelsit dhe Mançesterit. Jam i bindur se nëse do të kishim arritur në gjysmëfinalen e Championsit ose në finale nuk do të kishim fituar kampionatin. Unë nuk shes ëndrra dhe në fillim të sezonit kam thënë se nuk kishim potencialin e duhur për të luftuar në kompeticionin më të rëndësishëm të kontinentit.
Interi, ashtu si Milani, Bajerni i Mynihut, Juventusi, Porto dhe klube të tjera bëjnë pjesë tek ai grup skuadrash që duhet të përmirësohen për të arritur nivelin e klubeve më të forta”. Mourinjo, ka përsëritur se “të fitosh në Itali është më e vështirë se në Angli.
Skuadrat e Serisë A janë shumë të përgatitura, ndërsa në Premier disa ndeshje fitoheshin shumë lehtë, në Itali nuk ndodh kjo”. Në fund Mou ka folur edhe për Kuarezmën, një lojtar që e ka dashur me çdo kush tek Interi dhe që më pas e ka dhënë borxh tek Çelsi.
“Do të kthehet, - ka siguruar trajneri -, për të bërë atë që nuk ka bërë në muajt e tij të parë me fanellën zikaltër”. Gjithashtu, Mou i ka bërë komplimenta trajnerit të Portugalisë, Karlos Keiroz, dhe ka kërkuar durim nga bashkëkombasit e tij. “Eshtë njeriu i duhur për të drejtuar kombëtaren, edhe nëse nuk do të kualifikoheshim për Botërorin e 2010-ës nuk do të ishte fundi i botës, duhet t’i japim kohë teknikut për të ndërtuar skuadrën për të ardhmen”.