Kjo të paktën është diçka e re, por edhe e bukur. Karlo Ançeloti kërkon të marrë me vete nga Milanelo, Mauro Tasotin dhe Filipo Galin në krah të tij në stolin e Çelsit. Një hipotezë thuajse sureale nëse do të quhej kështu, sepse nëse do të largohej nga Milani, Ançeloti nuk do të linte pas asnjë nga pasardhësit e tij të mundshëm te Milani. Lajmin e shkruan e përditshmja angleze “Times”, sipas së cilës trajneri kuqezi është gjithnjë e më afër klubit të “Stamford Brixhit”. Tashmë njoftimi duket çështje orësh, por para zyrtarizimit të tij, duhen zgjidhur akoma edhe disa detaje, si për shembull zgjedhja e bashkëpunëtorëve.
Pikërisht për këtë motiv Ançeloti kërkon që dy asistentët e tij të besuar ta ndjekin edhe në aventurën e re londineze. Megjithatë është një zgjedhje që qenka në kundërshtim me planet e “bluve”, të cilët për t’i dhënë vazhdimësi punës së bërë nga Hidinku në muajt e fundit, kishte si qëllim të konfirmonte stafin aktual të përbërë nga një tjetër ish-lojtar kuqezi Rei Uillkins dhe nga Pol Klement. Sidoqoftë, në rast se Karletoja fiton këtë të dielë me Romën, mund të bëjë ndonjë “surprizë” për të njoftuar largimin zyrtar nga Milani në fund të sezonit.
Por nuk mbaron këtu, sepse qenka një tjetër spektator i interesuar mbi çështjen “Ançeloti-Milan-Çelsi”. Është shoqëria “Fioranelli”, që po përpiqet të blejë Romën e Rozela Sensit.
Në pritje të takimeve të fundit, Fioraneli i paska individualizuar që tani blerjet e merkatës me të cilët duhet t’u paraqitet tifozëve të Romës dhe i pari i kësaj liste qenka pikërisht Karlo Ançeloti, i cili nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për të drejtuar Romën. Por koha dhe shifrat e kontratës janë kundër.Ançeloti ëndërron që një ditë të drejtojë Romën dhe ajo ditë duket se ka një të ardhme të largët.