Kapiteni i Italisë ka nënshkruar kontratën me Juventusin dhe paralajmëron se nuk do të jetë një “xhaketë e kthyer”
Eshtë mbyllur gjithçka me sukses. Pas tre sezoneve në Spanjë Fabio Kanavaro është sërisht një lojtar i Juventusit. Pasi ka nënshkruar kontratën ditën e hënë, kampioni i botës dhe fituesi i “Topit të Artë” tani ka vetëm një objektiv, të ribëjë për vete tifozët: “Jam i lumtur që jam rikthyer tek Juvja, më vjen keq për faktin se disa tifozë nuk janë dakord me rikthimin tim. Por do të arrij të bind edhe skeptikët”.
Kanavaro ka bërë paraqitjen e tij në Torino, por qyteti, me rastin e zbritjes së tij në fushë në një ndeshje bamirësie, e ka pritur me vërshëllima. Por është i ndaluar demoralizimi. Mbrojtësi i ka gati armët që do të përdorë për të ndryshuar mendimin e tifozerisë bardhezi. “Jam i bindur se do të arrij të ndryshoj mendimin edhe të tifozëve më skeptikë nëpërmjet punës, profesionalizmit dhe pasionit me të cilin do ta nis këtë aventurë të re”.
Një ndihmë për këtë përpiqet t’ia japë edhe drejtori sportiv i Juventusit, Alesio Seko, duke i kujtuar mbështetësve bardhezi cilësitë e lojtarit: “Eshtë një kampion bote, një Top i Artë, dhe një personalitet i fortë”, ka thënë ai. Më pas ka shpjeguar: “Gjatë verës së vitit 2006 klubit i është dashur ta shesë për nevoja ekonomike. Këtë vit e kemi marrë me kosto zero dhe jemi të sigurtë se një lojtar si ai do ta bëjë Juventusin një skuadër më të fortë”.