20 maj 2009

Ferrara zgjedh Del Pieron para Amaurit

Ish-mbrojtësi juventin që do të drejtojë Juven në dy ndeshjet e fundit, rikthen kapitenin titullar
Ka shumë mundësi që të jetë Del Piero lëvizja e re dhe e vetme e Juventusit të ri të Çiro Ferrarës. Pra, një Juve që lind nën shenjën e së kaluarës. Lojtari që duhet t’i lërë vendin kapitenit në transfertën e rëndësishme kundër Sienës, duket se do të jetë pikërish Amauri, loja e të cilit është në rënie të dukshme pas një fillimi të mirë në kampionat. Në stol do të rishihet Xhiovinko, të cilit trajneri i ri duhet t’i garantojë më shumë hapsira. Në mesfushë do të mbetet jashtë Poulsen.
Domethënë, asnjë përmbysje e situatës, siç do të ishte më llogjike pas një ndryshimi trajnerësh. Ferrara, e ka thënë që në fillim, do të punojë më shumë në aspektin psikologjik të një grupi që ka humbur rrugën që të çon drejt fitores, dhe për të mos humbur kualifikimin direkt në Champions, duhet para së gjithash, të rigjejë identitetin e tij. Një identitet i vjetër sa vetë Juvja ku, pikërisht, të vjetrit e këtij ekipi do të kenë një rol thelbësor.
Në këtë këndvështrim, merr një kuptim të saktë edhe përjashtimi i Amaurit. I cili nuk është në formën e tij më të mirë (në të kundërt Iakuinta kohët e fundit shënon gola sa herë që prek topin) dhe që nuk ka forcën e udhëheqësit të ekipit që ka Del Piero. Me pak fjalë, jashtë Amauri dhe brenda Aleks, por jo vetëm kaq.
Diçka do të ndryshojë edhe në mesfushë, pasi dyshja Poulsen-Tiago, prej ditës së sotme, nuk do të shihet më në fushën e lojës. Kështu, Zaneti është i vetmi lojtar i sigurt në mesfushën bardhezi, një nga të paktët që ka shpëtuar nga ndeshja e shëmtuar me Atalantën. Ndërkohë, do të mbetet jashtë formacionit titullar Poulseni.
Tiago, edhe pse nuk bind plotësisht, është më i besueshëm se danezi. Mesfushorët e krahut do të jenë ata të përhershmit, Kamoranezi dhe Nedved, por pas fillimit të ndeshjes mund dhe duhet të gjejë një vend edhe Xhiovinko, lojtarin që kërkonin tifozët bardhezi dhe që Ranieri e dërgonte në tribunë.
Sulmuesi trupvogël nuk do të jetë pjesë e ekipit që nga minuta e parë, por, të paktën me trajnerin e ri do të jetë i pari midis zëvendësuesve. Në mbrojtje, para Bufonit, asnjë risi. Ky është pra Juventusi i parë i Ferrarës: Bufon, Grigera, Legrotalie, Kielini, De Çelie, Kamoranezi, Zaneti, Tiago, Nedved, Del Piero, Iakuinta.