Nëse gjithçka shkon mirë siç shpresojnë drejtuesit juventinë, Çiro Ferrara mund të qëndrojë. “Nëse gjithçka shkon mirë”, nënkupton që skuadra ta mbyllë kampionatin midis tre vendeve të para, duke u kualifikuar direkt për në Champions Ligë, dhe se trajneri i ri duhet të fitojë besimin e lojtarëve. Një arritje e dyfishtë, aspak e lehtë, por në këtë pikë Çiro do të bëhej trajneri i ri me kohë të plotë.
Në çfarë mënyre? Do të bëhej fjalë për një përshpejtim të projektit Lipi. Praktikisht, trajneri i kombëtares italiane është gati të rikthehet tek Juventusi pas Botërorit të 2010-ës si drejtor teknik dhe Ferrara është trajneri i zgjedhur nga ai. Por do t’i duhet t’ia dalë vetë mbanë për një sezon. Ja pse këto 15 ditë janë thelbësore. Nëse projekti Ferrara nuk do të ketë sukses, emri i parë në listë është ai i Antonio Kontes.
Trajneri i Barit po negocion lidhur me rinovimin e kontratës me klubin aktual dhe ka kërkuar një rritje të ndjeshme të rrogës. Bari është gati të bëjë një sakrificë, por nuk do të mund ta ndalonte dot largimin e tij nëse do të vinte një ofertë nga Juventusi. I dyti në listë është Spaleti, i cili konsiderohet pak i shtrenjtë në aspektin e pagesës, ndërsa nuk është fshirë akoma hipoteza Gasperini, një teknik, që i pëlqen shumë njerëzve në klubin bardhezi, por që do të bllokonte projektin Lipi.