01 maj 2009
Lojë e dyfishtë mes Shqipërisën e Maqedonisë
Branko Ivankoviç, njëri prej kandidatëve për stolin e Kombëtares kuqezi duket se po bën lojë të dyfishtë ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë. Kroati 55-vjeçar, i cili gjatë mesjavës ndodhej në vendin tonë për të diskutuar me krerët e FSHF-së rreth emërimit si pasardhës i Ari Han, njëkohësisht po vazhdon negociatat edhe me federatën e vendit fqinj. Gjatë pasdites së djeshme, shumë agjenci ndërkombëtare lajmesh kanë zyrtarizuar se lajmin Ivankoviç do të jetë trajneri i ri i Maqedonisë. "Ish-trajneri i Hanoverit, Iranit dhe Dinamos së Zagrebit ka gjetur akordin për t‘u bërë pasardhës i Katanec në përfaqësuesen maqedonase", theksonte spanjollja "Trivela". Ndërkohë që, nuk mungonin as fjalët e teknikut: "Në ndeshjet me Kroacinë e Anglinë, kjo skuadër ka treguar kualitet dhe se mund të arrijë rezultate pozitive". Në anën tjetër, Zlatko Daliç, ka thënë se vendimi final do të merret vetëm pas tri ditëve. "Ende nuk është vendosur për kalimin te Maqedonia", theksoi ish-trajneri i Dinamos, që të mërkurën shërbeu si shoqëruesi i Ivankoviç në takimet me drejtuesit e FSHF-së dhe në ndeshjen Tirana-Vllaznia.