Sulmuesi i ri, në vend që të festojë me skuadrën, ka shkuar në diskotekë
Mario Baloteli ka përjetuar një festë shumë të veçantë për fitoren e kampionatit. Në pushimin e pjesës së parë të ndeshjes Inter-Siena, kur rezultati ishte 1-0, Mourinjo i kërkon ekipit të vihet në shërbim të Ibrahimoviçit, që është në ndjekje të Di Vaios për vendin e parë të golashënuesve. Në minutën e 52-të Figo jep një pasim perfekt për Balotelin, i cili mund t’ia pasojë topin Ibrës, por nuk e bën një gjë të tillë, preferon të shmangë Kurçin dhe ta çojë vetë topin në rrjetë, kur pasimi drejt shokut nuk do të ishte më i mundur.
Një gol i bukur, i festuar nga të gjithë përveç se nga Ibra, që kërkon menjëherë (më kot) zëvendësimin. Mou duhet të bëjë rolin e ndërmjetësit midis dy talenteve dhe në minutën e 75-të zëvendëson Marion me Masinin, i cili një minutë më pas i dhuron pasimin e golit të tretë gjeniut nga Malmoe.
Pavarësisht ovacioneve të “San Siro”-s me Stankoviçin që në fushë i thotë Ibrës t’i jap fund ankesave, për senatorët e ekipit është e rëndësishme që t’i japin një mesazh talentit të ri që duhet të bëhet burrë. Mario, i cili nuk është sqaruar akoma me Mourinjon dhe Ibrën, në dhomat e zhveshjes pëson si rregullisht këshillat ose kritikat e lojtarëve me më shumë eksperiencë.
I lagur me shampanjë pas dushit të parë që kishte bërë, nuk i ka pëlqyer festimi i dytë me shamapanjë kur ai ishte pothuajse i veshur. Në vend që të ishte në autobuzin që ka çuar shokët e ekipit në darkën e titullit kampion, Mario (mendonte se festimet kishin mbaruar një natë më parë me Moratin dhe shokët e skuadrës) është nisur për në Breshia për të kaluar disa orë me shokët Paloski dhe Vioti.
Por mungesa e tij në hotelin afër “San Siro”-s bie në sy. Lojtari tjetër që mungonte është Maikon, për shkak të dëmtimit, ka munguar edhe në autobuzin festues në sheshin “Duomo” të Milanos. Ndërsa, Mario ka organizuar një natë në diskotekë dhe paraqitet në zemrën e jetës së natës milaneze. Por edhe në vendin e rezervuar në lokalin e famshëm “Hollyëood”, Mario nuk arrin t’i largojë fantazmat. “Pse të gjithë e kanë me mua”, shfryhet ai. Ndoshta të dielën e ardhshme në Kaljari do të vijë edhe pasimi për Ibrën.