25 shkurt 2009

Viali: Juvja duhet të godasë me kundërsulme

Ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Italisë dhe të Juventusit të viteve 90-të. Më pas ka qenë protagonist edhe tek Çelsi, ku është transferuar në fundin e karrierës së tij. Bëhet fjalë për Xhianluka Vialin, i cili ka analizuar përballjen që do të zhvillohet sot në mbrëmje midis dy ish-skuadrave të tij. Në lidhje me sfidën e Championsit Itali-Angli, ish-sulmuesi juventin, është shprehur në favor të “axurrëve”. “Unë them se do të përfundojë 2-1 për ne. Sepse ne e konsiderojmë futbollin një punë të mirëfilltë, ndërsa për ata ka qenë gjithmonë një lojë.Edhe pse në vitet e fundit na kanë mposhtur falë trajnerëve të huaj, të cilët kanë sjellë organizim dhe metoda më profesionale”. Por ndeshja e tij është Çelsi-Juventus. “Jam i kënaqur me këtë përballje, kështu do të mund të ngacmoj miqtë e mi anglezë ose ata italianë. Në letër Çelsi është ekipi favorit, por Juvja që kam parë të shtunën më ka pëlqyer shumë. Ka lejuar Palermon të kontrollojë lojën dhe më pas ka shfrytëzuar rastet që ka pasur. Kundër ekipeve të mëdha jep maksimumin.Nuk më është dukur në gjendje shumë të mirë fizike, por nuk e di nëse kjo ka ardhur nga gjendja e përgjithshme e skuadrës apo sepse kanë kursyer energji për ndeshjen e sotme”. Ndërkohë, sipas Vialit, kalimi i Hidinkut tek londinezët e ka vështirësuar punën e Ranierit. “Ndikimi i Hidinkut tek Çelsi është parë menjëherë në ndeshjen kundër Aston Vilës. Mesazhi i lojtarëve ka qenë ky: nuk ishte faji ynë nëse luanim keq, pa Skolarin jemi rikthyer të fortë.Tani do të duan ta tregojnë këtë edhe në Europë. Me Skolarin do të kishte qenë e favorizuar Juvja”, ka thënë Viali, i cili më pas ka shpjeguar edhe mënyrën se si mund të ndalet Çelsi. “Do të shohim duele fantastike: Drogba dhe Anelka kundër Legrotaljes dhe Kielinit, nga ana tjetër Del Piero dhe Amauri kundër Territ dhe Aleksit. Mund të fitojnë mbrojtësit ndaj sulmuesve dhe në këtë pikë do të bëhej e rëndësishme lufta në mesfushë, ku Juventusi duhet të përpiqet të krijojë superioritet numerik. Do të jetë një sfidë e bukur. Të shohim çfarë do të ndodhë”, ka deklaruar Viali.