25 shkurt 2009

“Vetëm pjesëmarrja s’më mjafton”

“Kundër Çelsit do të jetë një ndeshje madhështore dhe sigurisht që për ne është një kënaqësi që luajmë sërish në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve”. Këto janë fjalët e para të portierit juventin, Xhanluixhi Bufon, i cili është më i motivuar se kurrë në prag të ndeshjes me Çelsin. “Kjo sfidë për ne është një rikthim në origjinë, në arenën sportive botërore. Shpresojmë të kualifikohemi për më tej, sepse në këtë fazë të kompeticionit nuk mjafton më vetëm të marrësh pjesë”. Numri 1 i bardhezinjve do të ketë një detyrë të vështirë në “Stamford Bridge”, sepse gjatë gjithë ndeshjes duhet të ruhet nga dy sulmuesit e bluve, Nikolas Anelka dhe Didier Drogba. “Sigurisht që kur luhet në nivele të tilla, duhet të përballesh me skuadrat dhe lojtarët më të mëdhenj, dhe Çelsi është një skuadër e mbushur me kampionë, - vazhdon portieri i ‘Zonjës së Vjetër’. – Gjithsesi, unë e kam deklaruar që në fillim të sezonit se Juventusi është ndërtuar si një skuadër për të synuar më shumë Ligën e Kampioneve, sesa për fitimin e Serisë A. Në ndeshje teke, ne mund të jemi më shumë të rrezikshëm sesa në synimin e një trofeu që kërkon vazhdimësinë. Ne vëmë zemrën në fushë, ndaj besoj se në ndeshjet e mëdha, Juventusi nuk zhgënjen kurrë. Ndeshja e parë në transfertë një avantazh për ne? Nuk mund ta thuash këtë, pasi në dy paraqitjet e fundit jemi eliminuar në shtëpi, kundër Liverpulit dhe Arsenalit, ndaj nuk do të thotë asgjë fakti se ku luan ndeshjen e parë. E rëndësishme është të bësh një ndeshje perfekte, që të sjellë edhe rezultatin pozitiv. Gjithsesi, dua të falënderoj shokët e mi, të cilët më kanë dhënë mundësinë të shijoj këtë fazë të këtij kompeticioni. Nëse ata kanë shpenzuar shumë për të më dhuruar në një farë mënyrë mua këtë arritje, tani është radha ime për të dhënë kontributin për shokët e mi”, përfundon mbrojtësi ekstrem bardhezi, Xhanluixhi Bufon.