02 shkurt 2009

Ranieri akuzon mbrojtjen: Gabime të pafalshme

Trajneri i Juventusit i ka cilësuar të papranueshëm tre golat e pësuar në kundërsulm nga Kaljari
Duhej të kishte qenë nata e rikthimit, e reagimit pas humbjes befasuese në Udine. Por dyshja Matri-Zheda ka goditur sërish.
Vetëm se atëherë luanin me Riminin, ishte Juventusi që mundohej të dilte sa më shpejt nga Purgatori i serisë B, në ndeshjen e parë të kategorisë inferiore.
Histori tjetër, sot janë objektiva të tjerë për t’u arritur. Fitorja e papritur e ekipit sard rrezikon të prishë përfundimisht planet e bardhezinjve për titull. Dhe nëse nuk konsiderohet një krizë, pak mungon. Një rënie alarmuese, humbja e dytë në katër ditë, mbrojtja më e mirë para dy ndeshjesh ka pësuar pesë gola në dy takimet e fundit
. Dhe me Bufonin në portë. Diçka nuk funksionon, dhe këtë herë nuk mund të përdoret si justifikim lodhja, sforcimi i lojtarëve ose përgatitja para ndeshjes.
Gjendja që ka treguar grupi është shqetësuese, akoma më shumë dëmtimet dhe rikthimi i problemeve fizike. Një sinjal alarmues lidhur me trajtimin e dëmtimeve nga ana e stafit mjekësor.
Të shtunën në mbrëmje janë dorëzuar Zaneti dhe Kielini. Ishin rikthyer pas disa problemeve fizike që i kanë lënë jashtë ekipit për një kohë të gjatë, Zaneti dukej i rekuperuar, pasi ka kaluar gjithë fazën e parë jashtë fushave, Kielini ka “festuar” ndeshjen numër 100 në serinë A duke u futur në dhomat e zhveshjes para kohe.
Tani më shumë se të mendohet për Interin ndoshta duhet hequr dorë nga kampionati dhe të përqendrohen të gjitha energjitë fizike te 25 shkurti, në ndeshjen e Champions-it kundër Çelsit.Interi tashmë është në arratisje.
“Nëse diferenca do të thellohej, gjithçka do të bëhej më e vështirë për ne, - ka pranuar Ranieri, - por në këtë moment duhet të përpiqemi të kuptojmë se ku kemi gabuar, të rinisim nga e para dhe të përqendrohemi te ndeshja e radhës pa menduar për klasifikimin.
Kemi pësuar tre gola në kundërsulm, kjo është gjëja e papranueshme. Dëshira për të fituar ka bërë që të humbnim shumë topa të rëndësishëm në mesfushë. Kishim mbrojtjen më të mirë, në dy ndeshje kemi pësuar pesë gola. Duhet të flasim mes nesh për të kuptuar atë që nuk shkon.
Kaljari ka zhvilluar një ndeshje shumë të bukur, një skuadër e organizuar mirë, por edhe ne i kemi ndihmuar. Nuk mund të pësohen gola në këtë mënyrë. Dëmtimet ndikojnë? Sigurisht, nëse nuk ke mundësinë të stërvitesh me vazhdimësi gjatë ndeshjes, jep më pak nga sa duhet”.
“Janë gjashtë pikë të rëndësishme të humbura”,- ka qenë komenti i Koboli Xhiljit. “Duke parë atë që ka ndodhur në kampionatet e kaluara, gjithçka mund të ndodhë edhe në këtë sezon. E rëndësishme është që të ruajmë dëshirën dhe përqendrimin, asgjë nuk është mbyllur akoma”.
Më pas i takon Del Pieros: “Diferenca me Interin është e madhe, nuk i dihet mbase atyre u ndodh ajo që na ka ndodhur edhe neve. Të gjitha ekipet e mëdha kanë vështirësi në këtë periudhë”.
Me dëmtimin e Zanetit, i cili ka dalë jashtë fushës në minutën e 20-të të pjesës së parë, Ranieri duhet të shfrytëzojë në maksimum ata lojtarë që ka në dispozicion, ose më saktë dyshen e mesfushës Markizio-Sisoko. Ndërkohë që në tribunën e Olimpikos së Torinos, midis spektatorëve të tjerë, ndodhej dhe vëzhguesi kryesor i Luiz Felipe Skolarit, trajneri i londinezëve të Çelsit, Mik MekGiven.