Trajneri i Interit mbron Kuarezmën që u vërshëllye nga publiku i “San Siros”: Është faji im. Unë e kërkova
Kundër Torinos, Interi ka humbur dy pikë, por tani rreziku është para së gjithash se ai ka humbur përfundimisht dy lojtarë, portugezin Kuarezma dhe brazilianin Maksuell. “Rikardon e kam parë keq dhe sezoni e rendimenti i tij janë përgjegjësia ime, - ka mbrojtur Mourinjo bashkëkombasin e tij. - Jam unë ai që e desha në merkaton e verës. Për të, para së gjithash tani, të luajë në “San Siro” nuk është e lehtë.
Edhe Maksuelli po e vuan këtë moment. Ndoshta të shohësh Santon, tashmë një pikë referimi, po luan mirë, nuk e ndihmon.” Duke u kthyer sërish te Kuarezma, portugezi nuk ngurron të flasë hapur për mesfushorin anësor që u vërshëllye nga publiku i “San Siros”.
“Është një lojtar i imi, nuk është lehtë të flasësh për ndeshjen e tij, - shpjegon. - Doja një skuadër më me shumë manovër sulmuese dhe thellësi me të dhe Figon.
Nuk luajti mirë dje, por duhet të ketë forcën psikologjike për të kaluar kritikat që vijnë dhe të reagojë në mënyrë pozitive”. Mourinjo kujton që “ndeshjen e parë që luajti në “San Siro” Kuarezma, shkëlqeu, shënoi një gol (në të vërtetë ishte një autogol i Maskarës kundër Katanias).
Menduam se do të ishte fillimi i një pune pozitive këtu. Nuk është një publik i lehtë ai i “San Siros”, por profesionistët duhet të kenë forcë për të dalë nga kjo situatë. Te Porto,- kujton Mourinjo, - ishte një tjetër realitet: ishte një princ, nuk kishte frikë se gabonte. Këtu është ndryshe, duhet të ketë forcë të reagojë. Loja e tij është në rrezik kur është përballë një kundërshtari, nëse ai ka frikë të luajë, ka vështirësi”.Më pas, Mourinjo i kthehet barazimit në shtëpi me Torinon: “Të barazosh në shtëpi, nuk më pëlqen, e pranoj, edhe pse krijuam shumë raste, por Torino u mbrojt me të gjitha forcat, me një shpirt gare fantastike dhe me pak fat pa dyshim. Të shtunën ishim +6 ndaj Juves pastaj humbi, tani jemi +7 dhe jam gjithsesi i lumtur kështu, edhe pse një barazim në shtëpi është një gjysmëzhgënjim”.
Në sulm, sidomos në shtëpi, Interi vuan: “Gjetëm ekuilibrin e duhur me Adrianon, që luajti tri ndeshje fantastike, - vazhdon tekniku zikaltër. - Ibra me Adrianon ishin dyshja ideale, me përvojën e Kruzit e të Krespos. Adriano u pezullua për tri javë dhe të gjithë e bënë mirë punën e tyre. Jam i kënaqur për mendësinë e lojtarëve.” Në fund, Mourinjo zbulon: “Krespo është lënë jashtë listës së Ligës së Kampioneve. Rikthehet Samuel, ndërsa Mario Baloteli është përfshirë në listën B”.