Sulmuesi argjentinas synon të luajë vitin që vjen në Champions: Është turneu më prestigjioz pas botërorit
Eshtë rikthyer tek Xhenoa në ditët e fundit të merkatos së verës së kaluar dhe është një nga protagonistët e padiskutueshëm në këtë sezon të serisë A me plot 14 gola, duke i mbajtur kuqeblutë në rrugën e duhur për një vend në zonën Champions. “Nuk duhet të nxitohemi. Ne i marrim ndeshjet një nga një, pa menduar për renditjen. Edhe pse, është e sigurt se ne do të luftojmë deri në fund për këtë objektiv”. Por, ka vetëm një gjë që e shqetëson popullin xhenoan dhe ka të bëjë pikërisht me “Princin” Milito, i cili në sezonin e ardhshëm mund të ndërrojë fanellë.
“Me presidentin Preciozi marrëdhënia është e shkëlqyer. Dhe unë do të jem një lojtar i Xhenoas për tre vitet e ardhshme”, ka thënë argjentinasi. Gjithsesi, edhe pse situata është e tillë, akoma nuk është folur për një rinovim të kontratës. “Ky është një argument që nuk është diskutuar asnjëherë deri tani. Por, më besoni, mirëkuptimi me klubin është perfekt”.
Megjithatë, frika e tifozëve në Xhenoa, është se verën e ardhshme midis lojtarëve aktualë vetëm Milito do të shkojë në Champions Ligë. “Kjo nuk është e vërtetë, maskimumi do të ishte të arrija dhe të luaja në këtë kompeticion me fanellën e Xhenoas. Besoj se të marrësh pjesë aty është maksimumi për çdo lojtar. Personalisht mendoj se është turneu më prestigjoz mbas Botërorit”.
Në qoftë se bëjmë një hap mbrapa, mund të gjejmë një Xhenoa të sezonit 1937-38, që në kampionatin italian ka arritur të renditet në vendin e tretë, me pikë të barabarta me Milanin dhe mbas Interit dhe Juventusit. “Nuk e dija këtë, por të përsëritet një arritje e tillë pas 60 vitesh do të ishte një çmenduri. Milani është afër, por po flasim për një skuadër të madhe”. Por edhe Xhenoa nuk bën shaka me një Tiago Mota të rilindur. “Eshtë një kampion i madh, që ka ardhur nga Barcelona. Duhet falenderuar Preciozi. Ka bërë me të vërtet një marrëveshje të mirë, duke e marrë këtu”, ka përfunduar sulmuesi i kuqebluve Diego Milito.