Kielini e Zaneti, të paktën një muaj jashtë
Dështimi i Juventusit me Kaljarin ka qenë më i rëndë se ç’pritej. Përveç tri pikëve të humbura, Klaudio Ranieri ka humbur gjithashtu edhe dy lojtarë të rëndësishëm për skuadrën e tij. Xhorxho Kielinit, mbrojtësi më i mirë i bardhezinjve, i saporikthyer në fushë, i është dashur të lërë përpara kohe lojën për një tërheqje të rëndë në këmbën e majtë. I njëjti shqetësim duket të ketë përfshirë edhe mesfushorin Kristiano Zaneti. Ndonëse asgjë nuk është konfirmuar ende, të dy futbollistët ka gjasa të qëndrojnë të paktën për një muaj jashtë fushave të blerta, periudha më vendimtare kjo për sezonin e “Zonjës së Vjetër”. Kujtojmë këtu: çerekfinalen e së mërkurës kundër Napolit për Kupën e Italisë dhe ndeshjen e Ligës së Kampioneve më datë 25 shkurt kundër Çelsit për Ligën e Kampioneve.