Kaljari bën mrekullinë e radhës në Torino
Sikur të mos kishte regjistruar ato humb je në pesë javët e para të kampionatit italian, tani, skuadra e Masimiliano Alegrit do të kryesonte së bashku me Interin Serinë A, në kuotën e 49 pikëve. Aktualisht, kuqeblutë po zhvillojnë një sezon të jashtëzakonshëm, duke u konfirmuar prej disa javësh si të pathyeshëm. Këtë e kanë vërtetuar edhe mbrëmjen e djeshme, në Torino kundër Juventusit. Kaljari në përfundim të 90 minutave ka arritur një fitore madhështore në shifrat 3-2, plotësisht të merituar, ndonëse pas përfundimit të pjesës së parë u duk sikur lojtarët bardhezi morën situatën në dorë. Fillimisht ishin kaljaritanët ata që kaluan të parët në avantazh në minutën e 16-të, por 15 minuta më pas, Sisoko barazon shifrat, teksa dërgon saktë në portë një goditje me kokë. Barazimi zgjon torinezët, të cilët do të kalojnë në avantazh me anë të Pavel Nedved, pasi godet saktë brenda zonës. Ndërsa pjesa e dytë do të flasë vetëm për Kaljarin, lojtarët e së cilës shumë shpejt, saktësisht në minutën e 9-të të pjesës së dytë, rikthejnë në barazim ndeshjen pas golit të Zheda. Ky episod shtyu torinezët të përqendrohen totalisht në sulm e të lënë mjaft hapësira prapa, që do të shfrytëzohen nga Matri në minutën e 78-të, që mposht Bufonin dhe i dhuron suksesin surprizë, por shumë të merituar, Kaljarit. Pas takimit, Klaudio Ranieri është shprehur i zhgënjyer me lojtarët e tij. “Kaljari ka meritat e saj në këtë fitore, edhe pse unë kisha paralajmëruar për shumë kujdes ndaj tyre. Gjithsesi, tre golat e pësuar prej nesh janë shumë. Skuadra sigurisht që sot (dje) është përgjigjur shumë më mirë në fushë se ndaj Udinezes, por tashmë këto humbje fillojnë e bëhen të patolerueshme për ne. Tani duhet t’i futemi seriozisht punës e të rikthehemi sa më shpejt tek rruga e suksesit”. Nga ana tjetër, kreu i pankinës së Kaljarit është i ekzaltuar nga kjo fitore, të cilën ia dedikon vetëm lojtarëve të tij. Në sfidën tjetër të zhvilluar dje mes Napolit dhe Udinezes, çdo gjë ka përfunduar në barazim 2-2. Spektakli nuk ka munguar, ndonëse takimi nisi dhe u mbyll i tëri në pjesën e parë. Fillimisht Napoli kalon shumë shpejt në avantazh të dy golave me Lavecin (24’) dhe Hamshik (27’), por të përhershmit për Udinezen, Di Natale me penallti (32’) e Kualiarela (45’) mbyllin këtë sfidë.