25 shkurt 2009

Ibrahimoviç e Ronaldo, shihemi pas dy javësh

Përballja e parë mes Interit dhe Mançester Junajtid mbyllet me rezultatin e bardhë, 0-0. Pavarësisht rezultatit, kjo ndeshje ka dhuruar emocione të mëdha dhe akoma më të mëdha priten të jenë ato të ndeshjes së kthimit, pas dy javësh në “Old Trafford”. Edhe pse ky rezultat duket sikur favorizon shumë djemtë e Aleks Fergusonit për sfidën e ardhshme, edhe Zhoze Murinjo dhe trupa e tij mund të quhen të kënaqur, pasi çdo barazim me gola në Angli do të kualifikonte kampionët e Italisë në fuqi. Ndaj, barazimi i mbrëmshëm nuk lë vend për llogari edhe në ndeshjen e kthimit, kështu që për Mançester Junajtid-Inter, spektakli është sërish i siguruar. Gjithsesi, duke parë paraqitjen e të dyja skuadrave në fushë, “djajtë” e Fergusonit duken se kanë një marsh më shumë se italianët, pasi për 90 minuta luajnë shumë të qetë kundrejt vendësve, aq sa trajneri i famshëm skocez ka luksin të lërë për 83 minuta në pankinë, Uejn Runin dhe nuk aktivizon për asnjë sekondë, argjentinasin Karlos Tevez. Nga ana tjetër, Interit duket se i mungon diçka në sulm dhe sigurisht që nëse mbrëmë do të kishte konkretizuar më saktë dy raste të arta me Adrianon, mund të shkonin shumë më të qetë drejt Mançesterit. Pjesa e parë e takimit i përket skuadrës së Aleks Fergusonit, që me Rajan Gigs dhe Kristiano Ronaldon godasin disa herë portën e Hulio Sezarit, që edhe një herë tjetër konfirmohet si portieri më i mirë për këtë sezon. Ndërkohë, në 45 minutat e dyta, janë djemtë e Murinjos, ata që avancojnë më shpesh drejt portës së holandezit, Edvin Van Der Sar. Murinjo nxjerr jashtë mbrojtësin Rivas, që nuk bindi në pjesën e parë dhe e zëvendëson atë në të dytën me Kordoban, që me eksperiencën e tij i dhuron më shumë qetësi skuadrës dhe Hulio Sezarit. Adriano, i cili në minutën e 66-të duhet t’i lërë vendin Balotelit ka dy raste të arta, nga fare pranë portës angleze, por në të dyja vonohet dhe Rio Ferdinand ka meritat e tij për këtë. Gjithsesi, Murinjo kërkon me çdo kusht fitoren dhe përveç Balotelit në vend të Adrianos, hedh edhe Kulio Kruzin në fushë për Muntarin, por edhe me forca të mëdha në zonën e Mançesterit, Interi duhet të kënaqet vetëm me një barazim përpara 80 mijë shikuesve që kishin mbushur shkallët e “San Siros”.